Projekt buxheti për vitin 2021 mori dritën jeshile nga anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa që t’i dërgohet Asamblesë Komunale për diskutim dhe miratim, në mbledhjen e ardhshme e cila do të mbahet më 29 shtator.
Drejtoresha e Financave Sebahate Ajeti-Sadiku, sqaroi se si i kanë shpërndarë paratë për vitin 2021, derisa thekoi se në krahasim me vitin 2020, buxheti i vitit të ardhshëm është ulur për më shumë se 1 milion euro.
“Ajo që vlen të theksohet është se buxheti i vitit 2021 është 34 milionë e 208,507 euro apo në krahasim me vitin aktual ka një ulje prej 1 milion e 815,126 euro, kjo ulje theksohet në grandin e përgjithshëm si dhe në grandin specifik të arsimit, po ashtu me qarkoren e tretë për shkak të gjendjes së pandemisë është ulur edhe tavani i të hyrave vetanake, nga sa i kemi të planifikuara me buxhetin aktual prej 5 milionë e 15,625 për vitin e ardhshëm, të hyrat vetanake i kemi 4 milionë e 444,268 euro”, tha Ajeti-Sadiku.
Opozita akuzoi ekzekutivin që nuk ka organizuar debate publik për hartimin e draft-buxhetit, por nuk munguan kritikat edhe për mënyrën e shpërndarjes së mjeteve buxhetore.
“Në fillim ne ish-qeveria jemi akuzuar që në planet tona kemi pasur projekte qeverisëse 3 vjeçare, ndërsa ne këtu po shohim plot projekte 3 vjeçare e besa edhe 4 vjeçare, pse na keni kritikuar neve atëherë kur të njëjtat po i bëni vet. Shembull, 4 vjeçar është projekti i ndërtimit të shtëpisë së pensionerëve, buxhet kemi të ndarë ndërsa nuk e dimë ku është vendi, ajo shtëpi është marrë diku në vitin 2019 dhe e kemi parë që është projekt 3 vjeçar 2019-2021, tash po del që ky projekt është 2021-2023, është projekte 3 vjeçar apo 4 vjeçar dhe sa vite planifikoni me ndërtu një shtëpi të tillë?”, tha Burim Karameta nga LDK-ja.
“Projektet 3 vjeçare dhe 4 vjeçare pse janë në buxhet ju e dini se përveç projekteve 3 vjeçare nga ish-qeveria kemi trashëguar një gjendje të rëndë financiare dhe për shkak të këtyre obligimeve që janë marrë përmes përmbaruesve kanë mbetur ato projekte nga viti 2018 të papaguara dhe ne jemi obliguar që t’i inkorporojmë ato projekte nëpër kode të veçanta që t’i kryejmë ato obligime që ju na i keni lënë, prandaj kjo është arsyeja pse figurojnë nëpër kode buxhetore të viteve 2018-2019, është kjo për shkak të mungesës financiare që ju na e keni lënë, ndërsa shtëpia e pensionerëve është marrë vendim përmes këtij Kuvendi që të paguhen obligimet deri në ndërtimin e objektit të ri“, tha Sebahate Ajeti-Sadiku.
LDK doli edhe me propozime që, sipas tyre, duhet të përfshihen në këtë buxhet.
“Ne të gjithë e dimë se në vitin 2017 Qeveria e Kosovës ka bërë një kontratë kolektive me SBASHK-un dhe në atë kontratë obligohen komunat që me ua pagu pagat jubilare, shujtat dhe udhëtimin punëtorëve që punojnë në arsim. Tani shumica e shkollave kanë filluar ta kërkojnë këtë të drejtë përmes gjykatës e disa edhe e kanë fituar, kështu unë kisha propozu që në këtë draft-buxhet t’i shtojmë disa mjete dhe t’i shlyejmë këto obligime para se me u marrë paratë me përmbarues“, tha Imri Hashani nga LDK-ja.
Anëtarët e Komitetit për Politikë dhe Financa ia përcollën Kuvendit Komunal edhe disa propozime që kishin të bëjnë me shpallje të interesit të përgjithshëm për disa ngastra kadastrale.