Familjarë e miq kanë përkujtuar Sanije Rexhepin në 19 vjetorin e rënies, me ç’rast kanë bërë homazhe pranë varrit të saj në fshatin Lloshkobare të Ferizajt.
Babai i Sanijes, Mehdi Rexhepi, u shpreh i zhgënjyer me institucionet e vendit të cilat nuk po ia njohin statusin e dëshmorës vajzës së tij, që dha jetën për atdhe.
“Për Sanijen kemi çka folmi shumë, por unë nuk jam shumë i kënaqur me udhëheqësin ferizajase për çështjen e Sanijes që ka të bëj me statusin, që 18 vite unë mendoj çdo ditë për këtë, realiteti nuk është kërkun hiç, që një vit që i kanë nxjerrë eshtrat e Sanijes janë në murgun në Sarajevë duke e bërë AND-në, pse kjo nuk është bërë më herët, por kanë kaluar 18 vite”, tha Rexhepi.
Bashkëpunëtorja e Sanijes, njëherit edhe kushërira e saj, Ardita Rexhepi-Kçiku, tregon për organizimet që i kanë bërë bashkë për të furnizuar ushtarët me barna.
“Në atë kohë me doktorin e ndjerë Ismet Jetishi, unë isha në atë kohë në shkollë të mesme infermiere, pata fillu si praktikë, ndërsa Sanija ka qenë shumë e përkushtuar për këtë vend për çka edhe e dha jetën për këtë vend dhe e dimë vetëm unë e Sanija e doktori se si kemi mbledhë barna e si i rujshim natën ato barna nga serbët, pastaj kur e kuptojshim që dikush ka plagë shkojshim, ndërsa unë u martova Sanija e ka vazhdu deri në frymën e fundit dhe përkundër kësaj sot është në listë të pritjes për me hy në listën e dëshmorëve, se ku është problemi nuk e dimë edhe pse dëshmitarë ka shumë”, tha Rexhepi-Kçiku.
Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve në Ferizaj Gafurr Bytyqi, tha se falë kontributit të veprimtares Sanije Rexhepi, shumë luftëtarë të UÇK-së shpëtuan nga vdekja.
“Para 19 viteve në mënyrën më makabre ekzekutohet nga forcat serbe, pse u ekzekutua ajo, sepse ishte veprimtare e dalluar e çështjes kombëtare, sepse ishte furnizuese e Zonës Operative me barna dhe ilaçe, serbët e hetuan veprimtarinë e saj dhe shkuan e morën në mesin e turmës dhe e ekzekutuan në mënyrë makabre dhe çdo njeri që ka kontribu për luftën e UÇK-së dhe çdo bari që ka shkuar për shëndetin e luftëtarëve, Shoqata e Familjeve të Dëshmorëve e kujton me epitet dhe e përkujton deri në pafundësi”, tha Bytyqi.
Sanije Rexhepi ishte masakruar nga forcat serbe më 2 qershor të vitit 1999. Ajo njihet për kontributin e dhënë për UÇK-në duke ndihmuar me mjete medicionale dhe gjëra ushqimore.