Miratimi i buxhetit të komunës së Ferizajt për vitin 2021 mund të përcjellet me telashe, për shkak se nuk është në përputhje me afatet kohore siç është e paraparë me ligj.
Kështu thotë asamblisti i LDK-së në Ferizaj Imri Hashani, sipas së cilit, draft-buxheti ka qenë dashur të jetë në duart e kuvendarëve për shqyrtim qysh në fillim të muajit.
“Buxheti rrjedhimisht është në interes të qytetarëve dhe deri më 30 shtator është afati i fundit që duhet të miratohet në Kuvend, ndërsa pushteti nuk na e ka sjellur neve si draft për me shqyrtu, nuk e ka sjellur as në Komitet, sot është data 18 dhe dy ditë i kemi vikend dhe deri më 21 nuk do të na vie materiali, kurse ligji thotë hapur se materiali për çdo seancë të Kuvendit duhet t’iu sjellet anëtarëve të Kuvendit 7 ditë pune para seancës së Kuvendit, ndërsa neve ende nuk na është sjellur dhe nëse të hënën na vie materiali atëherë nuk është zënë afati ligjor për me u shpërnda materiali”, tha Hashani.
Hashani thotë ekzekutivi është treguar jotransparent lidhur me draftimin e buxhetit për vitin e ardhshëm, duke mos mbajtur asnjë debat publik .
“Ky pushtet nuk e ka parë të arsyeshme të thirrë debat me qytetarë për buxhetin, pushteti mund të arsyetohet se është pandemia dhe nuk kanë mundur të mbajnë, por ne e dimë që janë mbajtur disa debate me qytetarë në teatrin e Ferizajt, aty ka qenë për disa rregullore të cilat kanë pasur më pak peshë për qytetarë, prandaj ky pushtet ka mundur të thërras debat, por siç e dimë pushteti i ka numrat dhe do ta kalojnë ashtu pa u diskutuar me qytetarë e pa e ditur edhe ne për të, por kjo nuk është çudi pasi ky pushtet gjithherë i bjen punët para aktit të kryer”, u shpreh Hashani.
Në anën tjetër, Albion Sherifi, zyrtar për marrëdhënie me publikun në komunën e Ferizajt, tha se nuk kanë organizuar diskutime publike meqë për buxhetin krijohet numër i madh i qytetarëve. Ai thekson se kërkesat dhe rekomandimet e qytetarëve i kanë pranuar përmes platformave elektronike.
“Të gjitha komunat jo vetëm e Ferizajt është detyruar që të mbaj dikutimet publike për buxhetin në forma alternative në këtë rast e kam fjalën për formën digjitale. Një gjë të tillë e ka bërë edhe komuna jonë dhe jo vetëm për të plotësur kriterin ligjor, por me patjetër të marrim kërkesat e qytetarëve për hartimin e projekt-buxhetit. Ne kemi dhënë sqarimet me kohë në kohën e përgatitjes, ku qytetarët kanë pasur një adresë, e-mail adresë, kanë pasur një link, kanë pas gjithë infrastrukturën e nevojshme digjitale, këto kërkesa janë duke u shqytuar nga Drejtoria e Financave në mënyrë që të përfshihen sipas mundësive, ndërsa sa i përket diskutimeve buxhetore e dimë që kanë një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve kështu që kemi shmangur takimin fizik me ta, ndërsa për dokumente të tjera jnaë bërë takime publike, por në një numër jashtëzakonisht të ulët, sepse ftesa është bërë për grupe specifike”, tha Sherifi.
Buxheti i komunës së Ferizajt për vitin 2021 është paraparë të jetë 31 milionë e 485 mijë euro.