Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion në Ferizaj, ka arrestuar dy persona (H.S dhe E.S.) si pronar/e dhe përgjegjës në një Auto shkollë me seli në Kaçanik dhe degën e saj në Han të Elezit, nën dyshimin për veprat penale ”Pranimi i Ryshfetit në Sektorin Privat’’ dhe “Falsifikimi i Dokumenteve’’.
Ata dyshohen se kanë pranuar ryshfet në shuma të ndryshme parash nga kandidatë të ndryshëm për marrjen e patentë shoferit për kategorinë “B” dhe kategorinë ,,C’’, pa iu nënshtruar testeve/kritereve përkatëse, përfshirë edhe sigurimin e certifikatës mjekësore pa iu nënshtruar kontrolleve të rregullta mjekësore si dhe plotësimin e Vërtetimit që kandidati është aftësuar në pjesën teorike dhe praktike.
Me urdhër nga Gjykata Themelore në Ferizaj dhe në koordinim me Prokurorin përgjegjës të rastit, policia ka bastisur dy zyrat e kësaj kompanie ku edhe janë sekuestruar dy telefona mobil dhe dokumente të ndryshme në cilësinë e provave materiale.
Pas përfundimet të bastisjes, dy të dyshuarit janë shoqëruar në polici ku janë intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës, i caktuar sipas detyrës zyrtare.
Të gjitha veprimet hetimore kanë qenë të koordinuara me Prokurorin përgjegjës të rastit dhe pas intervistës, me Aktvendim të Prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.
Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.
Një burrë në rrethana të panjohura ka therur me thikë katër persona në Ferizaj. Sulmi ndaj këtyre katër kalimtarëve të rastit, prej tyre dy femra të moshës nën 18 vjeç dhe dy meshkujve të rritur të mashave rreth 30 vjeç, ndodhi rreth orës 15:40 në tre lokacione të ndryshme në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në Ferizaj.
Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Dy nga të plagosurit më rëndë janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.
I dyshuari për këto sulme E.S (59 vjeç) është arrestuar rreth orës 16:40 në në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” në rrugën “Riza Matoshi”.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krim-teknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura.
Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, tha Veseli për Televizionin Tema.
Në mbledhjen elektronike të mbajtur sot nga Qeveria e Kosovës, në mesin e vendimeve për ndërtimin dhe riparimin e objekteve kulturore dhe sportive, është aprovuar edhe projekti për ndërtimin e stadiumit të qytetit të Ferizajt. Projekti pritet të kushtojë 19 milionë euro.
Në vendimin që e ka postuar në Facebook, shefi i grupit parlamentar të Vetëvendosjes në Kuvendin Komunal të Ferizajt, Brahim Osmani, thuhet se në mesin e projekteve kapitale shumëvjeçare anembanë Kosovës, Ministrisë së Rinisë, Sportit dhe Kulturës i është caktuar kodi buxhetor dhe “se tash pritet që të fillojnë procedurat për ndërtimin e tij”, ka shkruar Osmani.
“Qeveria Kurti kujdeset për të gjitha komunat e natyrisht se edhe ne do të përfitojmë nga projektet cilësore që do të realizohen”, ka shtuar ai.
Osmani nuk ka treguar lokacionin, por një burim brenda degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj, ka thënë për Televizionin Tema se stadiumi pritet të ndërtohet afër palestrës së sporteve “Bill Clinton”, ku ndodhet edhe stadiumi me bar sintetik, ku aktualisht po i zhvillojnë ndeshjet ekipet ferizajase të futbollit. Burimi, meqë nuk është i autorizuar të flasë për media, ka kërkuar që të mos i bëhet i ditur identiteti, “por ka thënë se burime brenda Ministrisë kanë thënë se do të jetë afër sallës”.
Qeverisja lokale e Ferizajt vazhdimisht ka akuzuar LVV-në opozitë se nuk ka bërë presion të mjaftueshëm te Qeveria qendrore e LVV-së për të nisur zbatimin e projektit të shumëpërfolur të stadiumit derisa për lokacionin dhe madhësinë e tij ka pasur përplasje të vazhdueshme ndërmjet partive të ndryshme.