Connect with us

Kosovë

Rreshteri Afrim Bunjaku nderohet në njëvjetorin e sulmit të Banjskës

Published

on

Udhëheqësit e Kosovës dhe ambasadorë të huaj në vend e kanë shënuar sot njëvjetorin e sulmit të armatosur kundër Policisë së Kosovës në fshatin Banjskë, duke e nderuar sakrificën e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku.

Më 24 shtator të vitit të kaluar, një grup i serbëve të armatosur sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin e Zveçanit, duke e vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Gjatë përleshjeve që pasuan u vranë edhe tre sulmues serbë.

Në njëvjetorin e sulmit të armatosur, kryeministri i Kosovës Albin Kurti së bashku me ministrat e Qeverisë së tij, bëri homazhe te varri i Afrim Bunjakut dhe e vizitoi familjen e tij në fshatin Samadrexhë të Vushtrri kurse për nder të tij u emërua një rrugë rajonale që çon nga Ballbani drejt fshatit Banjskë.

“Serbia është përgjegjëse, andaj Serbia duhet të japë përgjegjësi. E në këtë pikë ne kërkojmë mbështetjen, ndihmën, përkrahjen e faktorëve ndërkombëtarë. Idealet e dëshmorëve për neve do t’i jetësojmë e po i jetësojmë, ndërkaq kujtimin tonë për ta do ta përjetësojmë e po e përjetësojmë. Sot në Banjskë të Zveçanit është vendosur tabela në të cilën shkruan rruga ‘Afrim Bunjaku’. Kjo është rruga e të gjithë neve”, deklaroi Kurti.

Në shënim të këtij përvjetori, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, shkroi se Kosova është dhe do të mbetet e pandashme, e liria dhe kufijtë tanë të paprekshëm.

“Sot një vit, rreshteri Afrim Bunjaku ra dëshmor, për të treguar edhe një herë, siç kemi dëshmuar ndër shekuj, se kjo tokë është atdheu ynë i përjetshëm”, shkroi Osmani në Facebook.

Më 12 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave për këtë sulm. Në mesin e të akuzuarve është edhe Milan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, i cili pas sulmit në Banjskë ka pranuar se ishte organizator dhe pjesëmarrës në sulm.

Kosovë

Nga tetori pensionet rriten për 20%

Published

on

Qeveria e Kosovës ka vendosur t’i rrisë për 20 % pensionet duke filluar nga ky muaj.

Kjo u bë e ditur në konferencën për media të kryeministrit Albin Kurti me ministrin e financave Hekuran Murati.

Pensionet që do të rriten nga tetori janë: pensioni bazik i moshës, pensioni kontribut pagues i plotë dhe parcial, pensioni i aftësisë së kufizuar për fëmijë dhe për të rritur, pensioni për personat e verbër, për personat paraplegjikë dhe tetraplegjikë, familjar, invalidor i punës dhe pensioni i parakohshëm për punëtorët e Trepçës.

Me këtë rritje, nga tetori pensioni bazik i moshës do jetë 120 euro, pensioni kontributpagues për kategorinë e parë do rritet në 218 euro, për kategorinë e dytë 237 euro, për të tretë 256 euro dhe për të katërtën 318 euro.

Ndërkohë, nga muaji janar 2025 për 20% do të rriten edhe pensionet e përcaktuara me ligjin për kategoritë e luftës, ku përfshihen familjet e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare Kosovës, viktimave të dhunës seksuale të luftës, viktimave civile dhe familjarëve të tyre.

Për më shumë, tek kategoritë për familjet e dëshmorëve të UÇK-së dhe të të zhdukurve të UÇK-së që kanë më shumë se një dëshmor ose të zhdukur, do të ndryshohet edhe formula e pensionit, duke e rritur atë për 50% të pensionit bazë për çdo dëshmorë apo të zhdukur tjetër që ka familja.

Në një postim në Facebook, Ministri i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka publikuar skemën e këtyre kategorive si do të bëhet pas rritjes së fundit.

Continue Reading

Kosovë

Asgjësohen 19 krerë gjedhe të infektuara me tuberkuloz

Published

on

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka njoftuar për asgjësimin e 19-të gjedheve në fshatrat Gushicë dhe Verban të Komunës së Vitisë pasi u konstatua infektimi i tyre me tuberkuloz.

Sipas AUV-së, menjëherë pas konstatimit të infeksionit, është ndaluar lëvizja e kafshëve nga këto ferma, në përputhje me Ligjin e Veterinarisë dhe rregulloret në fuqi. Me krijimin e kushteve teknike dhe logjistike, asgjësimi i kafshëve është realizuar nën mbikëqyrjen e inspektorëve veterinarë në një vend të përcaktuar nga komuna, në kodrinën Bagdad, e destinuar për groposje të kafshëve.

Pronaret e fermave janë urdhëruar që të kryejnë pastrimin dhe dezinfektimin e fermave dhe është ndaluar popullimi i tyre për një periudhë gjashtëmujore.

Përmes një kompanie të kontraktuar, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka siguruar asgjësimin gjedheve si dhe dezinfektimin e ambienteve ku qëndronin kafshët e infektuara derisa fermerët do të kompensohen për humbjet e pësuara.

Continue Reading

Kosovë

Deputetët Rrahmani e Korenica largohen nga Lëvizja Vetëvendosje

Published

on

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, Eman Rrahmani dhe Visar Korenica janë larguar nga Lëvizja Vetëvendosje, për t’iu bashkuar koalicionit të Aleancës Kosova e Re dhe Partisë së Drejtësisë.

Kjo u bë e ditur në konferencën për media, gjatë së cilës deputeti Rrahmani tha se bashkimi në, siç e quajti “Listën për Familjen”, po bëhet për shkak të projektligjeve, përkatësisht Kodit Civil dhe atij për Fertilizim të Asistuar, që kanë ardhur në kuvend nga Lëvizja Vetëvendosje, e që sipas tij, e cenojnë familjen tradicionale shqiptare.

Ai tha se kauza për familje është kauzë mbipartiake prandaj ka ardhur koha, siç u shpreh “për një angazhim politik më ndryshe”, duke shtuar se pjesë e këtij projekti do të jenë personalitete që e kanë dëshmuar veten dhe kanë një tregim suksesi në jetën e tyre.

Sa i përket angazhimit të mëtutjeshëm në kuvend, Rrahmani tha se si çdo herë do ta mbështesin secilën iniciativë, që sipas tyre, është e dobishme dhe do ta kundërshtojnë secilën që e konsiderojnë si të dëmshme.

Continue Reading

Trending