Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj i ka bërë thirrje sot Prokurorisë Themelore të Ferizajt që të hetojë kryetarin Agim Aliu dhe zyrtarët e tij më të lartë për të gjeturat e raportit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, që ka faktuar sesi administrata lokale shpalli tenderë dhe lidhi kontrata prej miliona eurosh, me kompani private pa pasur planifikim buxhetor.
Akuzat i kanë ngritur sot kryetarja e Qendrës së VV-së në Ferizaj, Fatbardha Zogaj-Reka dhe anëtarja e kësaj partie në Kuvendin Komunal, Yllka Neziri.
Në raportin e ZKA-së, të publikuar në fund të qershorit, kryetari Aliu është pajtuar me të gjitha shkeljet dhe keqmenaxhimet komunale të evidentuara për shumë fusha të qeverisjes lokale, sikur ishte shpallja dhe nënshkrimi i tenderit prej rreth 1.6 milionë eurosh me një kompani private për pastrimin e disa zonave të qytetit pa planifikim buxhetor dhe duke shmangur dy kompanitë publike të mirëmbajtjes, të cilat edhe ashtu përballen me vështirësi financiare.
“Realisht nëse shfletoni raportin e auditimit, në të gjitha sugjerimet, në të gjitha çështjet që i adreson raporti, thuhet ‘kryetari,’kryetari duhet të bëjë këtë, kryetari duhet të bëjë’…domethanë te të gjitha gjetjet, te rekomandimet, te të gjitha pjesët e raportit të auditimit, kërkohet prej kryetarit, sepse ai është i pari dhe sigurisht se ai është vendimmarrësi më i lartë në Komunën e Ferizajt”, ka thënë Zogaj-Rekaj kur është pyetur se a duhet ta hetojë prokuroria edhe Aliun si zyrtari më i lartë administrativ sipas Ligjit për vetëqeverisje lokale.
Kuvendarja Neziri ka thënë se raporti i ZKA-së vetëm sa përmblodhi të gjitha deklarimet e kuvendarëve të VV-së gjatë seancave të Kuvendit Komunal për keqmenaxhim nga administrata komunale e udhëhequr nga koalicioni i prirë prej PDK-së.
“Raporti tregoi shumë qartë për keqmenaxhim dhe keqpërdorim të pozitës zyrtare e ata persona duhet të japin përgjegjësi në organet kompetente. Për vite me radhë, raporti i auditimit është raport me opinion negativ”, ka thënë Neziri, duke theksuar se ZKA-ja faktoi prezantimin jo të saktë të detyrimeve të papaguara në pasqyrat vjetore financiare. “Keqmenaxhim i shpenzimeve në kategori ekonomike, Komuna ka kontraktuar shërbime me procedurë të hapur me operatorë ekonomikë privatë për shërbime, të cilat ofrohen nga ndërmarrjet publike komunale. Si pasojë e këtyre keqmenaxhimeve, gjendja e këtyre kompanive publike është në gjendje jo të mirë financiare dhe përditë e më shumë po përballen me telashe për shkak mos mbështetjes nga Komuna e Ferizajt”, ka thënë Neziri.
Administrata komunale ka heshtur pas publikimit të raportit të ZKA-së. Asnjë fjalë nuk e kanë thënë as kuvendarët e koalicionit në seancën e së mërkurës të Kuvendit Komunal pasi opozita ngriti dyshime për korrupsion.
Zogaj-Reka ka thënë se Ferizaj për shkak të keqmenaxhimit do të mbetet pa grantin qeveritar për komunat, ndërkaq, duke folur për humbjen e mundësisë për fonde nga donatorët si pasojë e vlerësimit negativ për qeverinë lokale të Aliut, ka theksuar se “askush nuk investon aty ku e sheh se s’po shkon mirë”.