Connect with us

Ferizaj

Veteranët i kërkojnë Qeverisë angazhim serioz për lirimin e Blerim Ramadanit

Published

on

Familjarët dhe bashkëluftëtarët e veteranit të luftës së UÇK-së, Blerim Ramadani, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’i përvjelë mëngët dhe t’i bëjë presion Qeverisë së Maqedonisë së Veriut që ta lirojë ish-luftëtarin ferizajas, të arrestuar javën e kaluar bazuar në një fletarrest ndërkombëtar nga Serbia.

Në protestën e organizuar nga dega e OVL së UÇK-së në Ferizaj në sheshin “Dëshmorit e Kombit”, kryetari i kësaj dege, Rafiz Sejdiu, ka akuzuar Qeverinë e kryeministrit Albin Kurti se nuk po bën asgjë për lirimin e Ramadanit, i cili po mbahet në një burg në Tetovë sipas pretendimeve të Serbisë se ka kryer “krime lufte kundër popullatës serbe” në rajonin e Ferizajt në verën e vitit 1999.

“Gjithashtu apeloj te Qeveria e Maqedonisë të korrigjojë gabimin e bërë, në mënyrë që të ruhen raportet  e mira fqinjësore, në të kundërtën do të mbajnë përgjegjësi për përkeqësimin e këtyre raporteve”, ka thënë Sejdiu, duke shtuar se protesta ishte vetëm hapi i parë.

“Kërkoj që Qeveria e Kosovës dhe ajo e Maqedonisë ta marrin me seriozitet këtë çështje, sepse ne veteranët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk lejojmë që shokët tanë të luftës të dhunohen dhe lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të denigrohen dhe të kriminalizohet”, ka thënë Sejdiu.

Më i ashpër me partitë shqiptare në pushtet në Maqedoninë e Veriut dhe me Lëvizjen Vetëvendosje që qeverisë me Kosovën, ka qenë ish-komandantit i Brigadës 162, “Agim Bajrami”, Xhabir Zharku. Ai pati edhe një porosi për deputetët e pushtetit.

“Dua t’i përshëndes edhe deputetët e Ferizajt dhe rrethina, por nuk e di a janë këtu se ata sigurisht duhet ta shijojnë më shumë lirinë, duke edhe mos qenë këtu se nuk kanë kohë të jenë këtu. Ne kishim kohë atëherë për të luftuar, për të lënë gjithçka, edhe lukset e Evropës për t’i rrokë armët për të ardhur këtu për t’i ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona që të fitojnë lirinë e shumëpritur, lirinë mijëravjeçare”, ka thënë Zharku.

Ai u ka bërë thirrje veteranët e luftës që po përballen me burgosje dhe nëpërkëmbje, duke akuzuar kryeministrin Kurti se po i intereson ta heqë debatin për luftën nga diskursi publik. “Rezultati është ky, që burgosen luftëtarët e lirisë, burgosen çlirimtarët, por le ta dijë edhe Maqedonia, edhe çdo kush tjetër që shpirtin tonë çlirimtar, që gatishmërinë tonë për sakrificë, për atdheun tonë, për popullin tonë,  nuk mund ta burgosë kurrë. Prandaj, ne luftëtarët e lirisë jemi të gatshëm në çdo moment që t’i dalim zot atdheut, t’u dalim zot edhe bashkëluftëtarëve tanë kurdo që të jetë nevoja dhe kudo, deri në vetëflijim dhe në vetësakrificë. Liri për çlirimtarët”, ka thënë Zharku në protestën që është organizuar me thirrjen “Liri për çlirimtarin”.

Në mesin e pankartave të protestuesve kishte edhe thirrje që të dëgjohej zëri i Bashkimit Evropian lidhur me arrestimin e veteranëve të luftës me fletarreste të Serbisë.

Shukri Buja, ish-komandant i Zonës Operative të Nerodimes së UÇK-së, ka thënë se veteranët nuk po janë të lirë të udhëtojnë nëpër vendet evropiane edhe pas liberalizimit të vizave për shkak se edhe shtetet që e kanë njohur Kosovën, si Maqedonia e Veriut, po i burgosin ish-pjesëtarët e lëvizjes së armatosur të viteve nëntëdhjetë. Ka thënë se edhe vetë nuk udhëton në Maqedoninë e Veriut për shkak të listave serbe dorëzuar vendeve anëtare të Europol-it.

“Blerimi shkoi bashkë me bashkëshorten për studime, sepse nuk e kishte parasysh  Serbia listën me 170 ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, herë e aktivizon listën, herë e shton këtë listë, por dymbëdhjetë persona i ka gjithmonë në listë me Europol-in”, ka thënë Buja. “Nuk më habit Serbia, por më habisin shtetet që e pranuan Kosovën, më habit mosveprimi i partive shqiptare, më habit dhe më çudit mosinteresimi nga  institucionet e Kosovës”.

Para protestuesve ka folur edhe ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-së së UÇK-së, Faton Klinaku, i cili i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të marrë urgjentisht hapa për ta liruar Ramadanin.

Valbona Ramadani, bashkëshortja e Blerimit, ka thënë se veteranët e UÇK-së meritojnë më shumë respekt prej shoqërisë kosovare. “Pas u thanë të gjitha, nuk më mbeti të them shumë, vetëm se së shpejti do të binden për pafajësinë e Blerimit dhe gjithë ushtarëve të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”.

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjen e 4 personave në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji F.I. që dyshohet se sulmoi dhe theri me thikë katër persona në Ferizaj.

I dyshuari ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin ku si pasojë në mesin e të plagosurve ishin edhe dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare .

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike pasi që të katër të plagosurit janë të komunitetit RAE.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, i pandehuri F.I., ka tentuar t’i privojë nga jeta  dy të mitura, pjesëtarë të komunitetit RAE.

I poandehuri i sulmon ato nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Më tej, Prokuroria thotë se i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., derisa ai ishte duke hyrë në një lokal.

I pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i pandehuri sulmon edhe të dëmtuarin E.A., duke tentuar të privoj nga jeta, duke e goditur me thikë nga mbrapa, në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto sulme dhe plagosje, i pandehuri dyshohet se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Continue Reading

Ferizaj

Vajza 10 vjeçare e plagosur me thikë në gjendje të rëndë shëndetësore

Published

on

Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.

Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.

Continue Reading

Ferizaj

Policia e Ferizajt arrestoi të dyshuarin që theri me thikë 4 persona.

Published

on

Një burrë në rrethana të panjohura ka therur me thikë katër persona në Ferizaj. Sulmi ndaj këtyre katër kalimtarëve të rastit, prej tyre dy femra të moshës nën 18 vjeç dhe dy meshkujve të rritur të mashave rreth 30 vjeç,  ndodhi rreth orës 15:40 në tre lokacione të ndryshme në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në Ferizaj.

Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Dy nga të plagosurit më rëndë  janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.

I dyshuari për këto sulme E.S (59 vjeç) është arrestuar rreth orës 16:40 në në afërsi të qendrës tregtare  ” Plus Market” në rrugën “Riza Matoshi”.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krim-teknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura.

Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, tha Veseli për Televizionin Tema.

Continue Reading

Trending