Pjetër Shala, ish-pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) është dënuar nga Gjykata Speciale me 18 vjet burgim për krime .
Ai është shpallur fajtor për pjesëmarrje në ndalim arbitrar dhe vrasjen e paligjshme kundër një personi, më ose rreth datës 5 qershor 1999, në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë.
Në vendimin për secilën akuzë, Pjetër Shala i njohur si “Ujku”, u dënua me gjashtë vjet burgim për ndalim arbitrar, 16 për torturë dhe 18 për përfshirje në një vrasje. Dënimi i njësuar ishte 18 vjet burgim.
Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona të dyshuar për bashkëpunim me Serbinë ose për mospërkrahje të UÇK-së.
Shala nuk e kishte pranuar fajësinë para kësaj gjykate duke theksuar se ka luftuar për lirinë e vendit kundër një makinerie dhe regjimi luftarak të Millosheviqit.
Shala është arrestuar më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe është transferuar në Hagë, më 15 prill 2021.
Ky është aktgjykimi i dytë i kësaj Gjykate lidhur me hetimet për krime lufte pasi në dhjetor të vitit 2022, ish-komandanti i UÇK-së, Salih Mustafa, u dënua me 26 vjet burgim që pastaj me vendim të Apelit ky dënim të ulet në 22 vjet burgim.
Përveç Mustafës dhe Shalës, në proces gjyqësor janë edhe Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Jakup Krasniqi, Isni Kilaj, Sabit Januzi, Ismet Bahtijari dhe Haxhi Shala.