Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë projektligjin për Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), me të cilin mes tjerash parashihet licencimi dhe kontrollimin prej KPM-së të mediave online që prodhojnë video.
Me këtë projektligj, mediat që funksionojnë si organizata joqeveritare do të duhen të regjistrohen si kompani që t’i plotësojnë kushtet e licencimit derisa në rast të ndryshimit të pronësisë mbi 10% duhet të marrin leje nga KPM-ja.
Aty janë paraparë edhe sanksione me vlerë në deri 40.000 euro për shkeljet si mosrespektimi i ligjit, mosdorëzimi i raportit vjetor tek KPM-ja brenda afatit, mos ruajtja e arkivit të transmetimeve, mosrespektimi i kohës së përcaktuar për transmetim dhe disa shkelje të tjera.
Ky projektligj u miratua në lexim të dytë me 59 vota për, asnjë kundër dhe dy abstenime meqë deputetët e partive opozitare PDK-së, LDK-së dhe AAK-së e kishin lëshuar sallën.
Miratimi i projektligjit për Komisionin e Pavarur të Mediave nxiti reagim të Bashkimit Evropian dhe disa ambasadorëve të vendeve mike të Kosovës.
Kështu, ambasadori i BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se kuvendi sot humbi mundësinë për t’i pasur dy ligje të mira, atë për KPK-në dhe KPM-në, pasi sipas tij, kuvendi nuk i morri parasysh të gjitha rekomandimet e BE-së dhe organizatave të tjera ndërkombëtare.
“Në fund të fundit, ligjet e mira nuk kanë të bëjnë vetëm me rrugën e Kosovës drejt BE-së. Ato kanë të bëjnë me sigurimin e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe mbrojtjes së qytetarëve. Na vjen keq që Kuvendi nuk arriti t’i trajtojë këto shqetësime kryesore dhe të përafrohet me standardet e BE-së dhe standardet evropiane”, shkroi Szunyog.
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde shprehu keqardhje për injorimin e rekomandimeve të partnerëve të Kosovës me rastin e miratimit të këtij projektligji.
“Kosovarët duan të jenë pjesë e familjes evropiane dhe nëse Qeveria e Kosovës dëshiron të përshpejtojë rrugën e saj drejt BE-së, çdo ligj i ri duhet të jetë plotësisht në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.
BE, KiE dhe OSBE kanë dhënë opinionet e tyre për ligjet, por janë injoruar”, shkroi Rohde në rrjetin social“X”.
Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), votimin e sotëm e ka quajtur goditje të madhe të Qeverisë ndaj lirisë së medias.
“Partia politike në pushtet nuk i ka marrë parasysh vërejtët e shoqërisë civile e mediave, dhe ka shpërfillur Raportin e ekspertes së Këshillit të Evropës, që ka konstatuar se pjesa më e madhe e Ligjit nuk i përmbushë standardet evropiane, duke përfshirë ato të Këshillit të Evropës ku Kosova synon anëtarësimin. një gjë e tillë, u theksua sot para votimit edhe nga Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca. Votimi i sotëm është prej goditjeve më të mëdha që Qeveria e Kosovës dhe Vetëvendosje ka bërë kundër lirisë së medies në Kosovë, në një përpjekje të nisur qysh prej fillimit të mandatit për disiplinimin dhe kontrollimin e tyre”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK-ja ka theksuar se votimi i sotëm do të ketë një tjetër efekt negativ në renditjen e vendit në raportet ndërkombëtare të fushës, ndërsa ka bërë thirrje për përdorimin e të gjitha mjeteve ligjore dhe kushtetuese për ta kundërshtuar hyrjen në fuqi të ligjit.
Për të hyrë në fuqi, Projektligji për KPM-në duhet të nënshkruhet nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani.
Ndryshe, partitë më të mëdha opozitare, PDK dhe LDK, paralajmëruan dërgimin në Gjykatë Kushtetuese dy ligjet e miratuara sot, atë për Komisionin e Pavarur të Mediave dhe ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës.