LDK dega në Ferizaj ka vlerësuar si shqetësuese gjetjet e raportit të fundit të auditorit, për pasqyrat financiare vjetore të komunës së Ferizajt për vitin 2023.
Në konferencën e sotme për media, kryetari i LDK-së në Ferizaj, Visar Azemi, ka thënë se sipas raportit të auditorit, në pasqyrat financiare për vitin 2023, janë evidentuar parregullsi në prezantimin e detyrimeve të papaguara në vlerë prej 80,060 euro, të llogarive të arkëtueshme në vlerë prej 127,975 euro dhe detyrimeve kontigjente në vlerë prej 2,600,648 euro.
Për më tepër, raporti thekson një nënvlerësim të pasurive në vlerë prej 192,138 euro, duke bërë që vlera e pasurive kapitale dhe jokapitale të mos jetë e shpalosur saktë. Po ashtu, ka pasur keq klasifikim të shpenzimeve në kategori ekonomike në vlerë prej 787,464 euro.
Raporti gjithashtu evidenton se Komuna e Ferizajt kishte hyrë në obligime kontraktuese në vlerë prej 2,326,548 euro pa pasur fonde të mjaftueshme financiare.
Sipas Azemit, një tjetër parregullsi është edhe kontraktimi i shërbimeve përmes procedurës së hapur të prokurimit me operatorë ekonomikë privatë për shërbime që ofrohen nga ndërmarrjet publike komunale.
Gjithashtu, në vitin 2023, komuna nuk i kishte regjistruar 31 të punësuar në listën e pagave, të cilët kishin kontrata të rregullta të punës derisa për shkak të vonesës në pagesën e detyrimeve financiare, komuna ka paguar shpenzime shtesë në vlerë prej 254,260 euro në emër të procedurës kontestimore/përmbarimore apo interesit për pagesë të vonuar.
Raporti gjithashtu tregon për përdorimin e fondeve nga projektet për qëllime të tjera nga ato për të cilat ishin planifikuar, pa zbatuar procedurat dhe kriteret për transferimin dhe rialokimin e ndarjeve buxhetore nga një projekt kapital në një tjetër.
Përveç kësaj, janë evidentuar marrëveshje ku janë shmangur procedurat e prokurimit dhe është financuar OJQ me vlerë prej 8,526 euro pa thirrje publike për financim.
Visar Azemi theksoi se mungesa e progresit në zbatimin e rekomandimeve është një tjetër çështje shqetësuese, pasi nga 19 rekomandime që kishte marrë nga auditori për vitin 2022, Komuna e Ferizajt ka zbatuar vetëm 6 prej tyre edhe pse për një pjesë të këtyre vërejtjeve që theksohen në Raportin e Auditorit, janë ngritur si shqetësime gjatë gjithë vitit nga LDK në Ferizaj.