Gjykata Themelorë në Prishtinë i ka shpallur fajtorë të akuzuarit Bekë Salihaj, Adhurim Krasniqi, Valdrin Beqiri, Arianit Pllana, Adnan Murtezi, Fidan Cakolli, Gentrit Ismajli dhe Diar Thaçi të cilët ngarkohen se si grup kriminal, në qershor të vitit 2022, hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Rizza Hair Salon”. Atyre u janë shqiptuar më shumë se 28 vite burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Arianit Pllana është dënuar me 4 vite e 10 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për veprën penale “Detyrimi”, “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Deklarimi i rremë”.
Adhurim Krasniqi, Bekë Salihaj dhe Valdrin Beqiri janë dënuar me nga 4 vite burgim secili veç e veç për veprën penale shtyrje në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
Fidan Cakolli, Gentrit Ismajli dhe Diar Raçi janë dënuar me nga 3 vite burgim se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Adnan Murtezi është dënuar me 2 vite e 6 muaj burgim për ndihmë në kryerjen e veprës penale “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”. Ndërkaq, Lundrim Beqiri është shpallur fajtor dhe është dënuar me 4 muaj burgim dhe 500 euro gjobë për posedim të paautorizuar i narkotikë dhe substancave narkotike.
Sipas aktakuzës së ngritur 24 shkurt 2023, të akuzuarit ngarkohen se si grup kriminal i organizuar, në qershor të vitit 2022 hodhën granata dore në lokalet “Missini” dhe “Riza Hair Salon” me qëllim të përfitimit pasuror të kundërligjshëm.