Në seancën solemne të mbajtur në Kuvendin e Kosovës, Ish-kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair, tha se nuk është penduar asnjëherë që e ka ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj në vitin 1999.
Ai rikujtoi tensionet e negociatat politike të asaj periudhe duke theksuar në veçanti sakrificën e gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
“Në këtë ditë, si 25 vjet më parë, u arrit marrëveshja për tërheqjen e forcave invazive.
Kosova ishte e lirë. Njerëzit e saj ishin të lirë, të jetonin sërish, të shpresonin sërish dhe të besonin sërish. Sot dhe përgjithmonë, kujtojmë ata që dhanë jetën për lirinë e këtij vendi.
Për mua si kryeministër i asaj kohe, kujtoj tensionin e negociatave politike, përpjekjen diplomatike për vendimin në kohë lufte”, ka thënë Blair, teksa përmendi edhe refugjatët kosovarë në Shkup.
“Atëkohë, takova refugjatët afër Shkupit dhe pashë fytyrat e tyre përballë fytyrës time, që kërkonin ndihmë. Ne ndihmuam dhe kurrë nuk do ta harroj këtë. Falënderoj të gjithë ata që punuan me mua për atë ditë, në veçanti presidentin Rugova, sekretarin Solana, kryeministrin Italian, gjeneralin Clark, gjeneralin Clarkson dhe sigurisht lidershipin vital të presidentit Klinton.
Vendosmëria juaj simbolizon dëshirën tuaj për një të ardhme më të mirë. Është për pavarësinë e fuqishme dhe shtetin e pavarur sovran dhe përpjekjen e Kosovës për anëtarësim të plotë në Bashkimin Evropian”, u shpreh mes tjerash Blair.