Laura Fazliu fitoi medaljen e bronztë në Lojërat Olimpike “Paris 2024”, pasi në kategorinë deri në 63 kilogramë, mposhti xhudisten kroate Katarina Kristo.
Laura ishte bartëse e tretë dhe kështu në xhiron e parë ishte e lirë. Në të dytën e mposhti kinezen Jing Tang, ndërsa në çerekfinale humbi nga francezja Clarisse Agbegnenou.
Deri tek mundësia për të luftuar për medaljen e bronztë, 23 vjeçares kosovare iu deshtë ta mposhte në repasazh Catherinë Beauchemin-Pinardin nga Kanadaja.
Kjo është medalja e parë olimpike për Laurën dhe e pesta në përgjithësi në historinë e sportit kosovar. Në këtë olimpiadë kjo është medalja e dytë për Kosovën, pas medaljes së argjendtë që e fitoi Distria Krasniqi në fundjavë.