Policia e Kosovës ka njoftuar se Enver Sekiraqa është arratisur pasi nuk është gjetur në shtëpi gjatë të premtes dhe të shtunës. Ai duhej të kthehej në paraburgim pasi dy ditë më parë, Gjykata e Apelit vendosi për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij.
Bazuar në aktvendimin e pranuar nga Gjykata e Apelit dhe mos gjetjes së Sekiraqës, policia ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim të tij, në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore.
Njoftimi i policisë:
“Policia e Kosovës, bazuar në aktvendimin e pranuar të Gjykatës së Apelit, të datës 17.05.2024, për ndryshim të masës së sigurisë së të pandehurit Enver Sekiraqa, sipas procedurave dhe mandatit të saj ligjor i ka dërguar ftesën të njëjtit, mirëpo i njëjti nuk është hasur në vendbanimin e tij në rrugën ‘Vëllezërit Fazliu’ Prishtinë.
Meqë i njëjti nuk është hasur në shtëpi, Policia e Kosovës, përmes zyrtarëve kompetent, ka njoftuar organet e drejtësisë se ftesa zyrtare i është dërguar të pandehurit Sekiraqa, mirëpo i njëjti nuk është hasur në shtëpi. Po ashtu sot me datën 18.05.2024, për të zbatuar aktvendimin e Gjykatës së Apelit, ku i dyshuari duhet të dërgohet në paraburgim, zyrtarët policorë e kanë kërkuar të njëjtin, por nuk e kanë hasur në shtëpi.
Veprimet e mëtejme policore, do të bazohen në procedurat e parapara ligjore, aktvendimin dhe rekomandimet e organeve të drejtësisë. Njëkohësisht Policia e Kosovës ka ndërmarrë masat e nevojshme për informim dhe ndalim në të gjitha vendkalimet kufitare dhe drejtoritë rajonale policore, ndaj të pandehurit”.