Në varrezat e Butelit në Shkup, nga kjo e diele (7 prill 2024) prehet shkrimtari, gazetari, mësimdhënësi dhe intelektuali i shquar shqiptar, Fadil L. Curri.
Fadil Curri lindi në fshatin Dërmjak të Hanit të Elezit, më 25 shtator 1959. Arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë i kreu në Shkup. Pas përfundimit të studimeve punoi si kryeredaktor i gazetës “Sharri” në Han të Elezit, redaktor përgjegjës në RTV Toska në Shkup, drejtor për kulturë, rini dhe sport në Kaçanik, kurse vitet e fundit punoi si mësimdhënës i gjuhës shqipe e letërsisë në Han të Elezit.
Curri ishte edhe botues i revistës “E vërteta” në Shkup e Tetovë, Kaçanik e Han të Elezit kurse shkrimet e para i botoi në revistat e njohura letrare të asaj kohe, “Gëzimi” e “Fatosi”.
Në fushën letrare, Fadil Curri është redaktor, recensent dhe lektor i qindra librave letrarë e shkencorë si dhe autor i mbi dhjetë librave të botuar, si: duzine
• A(h) fati(h) në peshojë” (Përmbledhje tekstesh, biseda e shënime me të burgosur politik dhe shënime për krimin në Bllacë të Shkupit nga çetnikët e komunistët),
• “Kohë qorre – A blind time ” (përmbledhje me poezi në shqip e anglisht),
• “Kronikë për dashuri ” (roman me dy botime),
• “Muzat e Hanpencit” (panoramë letrare shkollore e Hanit të Elezit),
• “Tregime për fëmijë ” (përmbledhje tregimesh për fëmijë),
• “Rinjoja pas vdekjes në… Kosovë” (roman, vazhdim tematik i “Kronikë për një dashuri”),
• “Kështu mendonte, fliste e shkruante Adem Kastrati ” (biografi dhe shkrime të tjera),
“Aty ku u kalitën kampionët ” (monografi e historisë së mundjes në Han të Elezit),
• “Arka e thesareve” (dramë e inskenuar dhe e shpërblyer në Festivalin Dramatik të shkollave të Kosovës në Skenderaj, pastaj e botuar si libër),
• “Hani i Elezit leksikor me frazeologji ” (fjalë të shënuara nga kjo anë).
• “Pallë kritike mbi qepallën agonike ”, SHB “Shkupi”, Shkup 2015.
• “Shtegtime letrare”, 2023.
I ndjeri Fadil L. Curri, pas vetes la bashkëshorten dhe katër fëmijë.