Në seancën gjyqësore për rastin e njohur si “53 milionëshi” prokuroria dhe mbrojtja e të akuzuarve Pal Lekaj, Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri dhanë fjalët e tyre përfundimtare, “Betimi për Drejtësi”.
Fillimisht kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani iu drejtua Prokurori special, Valdet Gashi, i cili në fjalën e tij përfundimtare kërkoi dënimin maksimal për të akuzuarit.
“Kërkojmë nga Gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprën penale që aktakuza i ngarkon, t’i dënojë me dënim maksimal të paraparë për veprën penale në fjalë”, tha prokurori Gashi pasi siç u shpreh , nga provat materiale, por edhe dëgjimi i dëshmitareve, pa mëdyshje është vërtetuar se katër të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkohen.
Gashi tha se edhe përkundër opinionit të kompanisë “Hill International” si mbikëqyrëse e projektit të ndërtimit të autostradës “Arbën Xhaferi” , është procedura me pagesën e 53 milionëve dhe se është
vërtetuar që midis katër të akuzuarve ekziston elementi i bashkëkryerjes.
Kurse, mbrojtja e të akuzuarve kërkoi lirimin e të akuzuarve nga akuza.
Mbrojtësii i Pal Lekajt, avokati Musa Damati gjatë fjalës përfundimtare tha se autoriteti përfundimtar për realizmin e pagesës së 53 milionëve ka qenë Qeveria e Republikës së Kosovës andaj ky vendim ishte kolegjial dhe jo individual.
Damati i propozoi trupit gjykues të nxjerrë një vendimi lirues ndaj Lekajt.
Avokati Florent Latifaj i ka propozuar gjykatës të shpallë aktgjykim lirues ndaj Nebih Shatri pasi i mbrojturi i tij nuk është përgjegjës për asnjë veprim të tij apo pikë të aktakuzës, duke shtuar se i njëjti ka vepruar sipas ligjit dhe me aktin nënshkrimit nga Shatri është arritur të përfundohet autostrada.
Edhe mbrojtësi i Esat Berishës, avokati Afrim Salihu tha se klienti i tij ka punuar në cilësinë e këshilltarit politik pa të drejta ekzekutive dhe bazuar në provat shfajësuese të propozuara, i mbrojturi i tij duhet të dalë i pafajshëm.
I akuzuari Esat Berisha tha se pagesa e shumës prej 53 milionëve është bërë për shkak të neglizhencës së qeverive të kaluara pasi nuk kanë ndarë mjete të mjaftueshme buxhetore për ndërtimin e kësaj autostrade.
Mbrojtësi i të akuzuarit Besim Tahirit, avokati Urim Vokshi, tha se klienti i tij është i pafajshëm pasi që akuza e Prokurorisë e ngarkon Tahirin se ka vepruar në kundërshtim me statutin dhe kodin e mirësjelljes së Komitetit ndërministror, dokumente të cilat sipas avokatit, nuk dihet nëse kanë qenë në fuqi.
Sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2022, Pal Lekaj, në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Infrastrukturës, Eset Berisha, këshilltar i lartë politik i Lekajt, Nebih Shatri, si sekretar i Përgjithshëm në këtë ministri, në bashkëveprim dhe me dashje edhe me të pandehurin Besim Tahiri, drejtor i Prokurimit Publik në ministrinë e infrastrukturës, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare me rastin e pagesës së shumës prej 53 milionë eurove për konsorciumin “Bechtel &Enka”, për ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit.