Krerët më të lartë të shtetit, presidentja Vjosa Osmani, kryetari i kuvendit Glauk Konjufca dhe kryeministri Albin Kurti, kanë qëndruar të hënën në Reçak, në përkujtim të 25 vjetorit të njërës ndër masakrat më të tmerrshme ndaj popullsisë shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Presidentja Osmani ka thënë se shqiptarët u masakruan duarthatë në mënyrë brutale nga regjimi i Sllobodan Millosheviqit, duke theksuar se ish-ambasadori William Walker ishte bërë zëri i viktimave të Kosovës.
Sipas Osmanit, masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës. Ajo tha se Walker për 25 vjet ka punuar që të mbrojë të vërtetën e Reçakut, por shtoi se kjo ngjarje ende mohohet në Serbi.
“25 vjet pas luftës e pas Masakrës së Reçakut. Jemi këtu jo vetëm për të nderuar viktimat e regjimit gjenocidal të Millosheviqit, por për të përsëritur thirrjen tonë për drejtësi. Drejtësia i jep kuptim paqes, lirisë, e është e domosdoshme për pajtim. Edhe sot jemi këtu për të nderuar të rënët, të gjithë ata që duarthatë u masakruan në mënyrë brutale, duke kryer krime kundër njerëzimit nga regjimi i Millosheviqit. Jemi këtu për të falënderuar sërish ambasadorin William Walker që u bë zëri i viktimës kur në një kohë s’kishim zë. Kur kishim nevojë për mbrojtjen e botës demokratike, Masakra e Reçakut ndërkombëtarizoi çështjen e Kosovës”, ka thënë Osmani.
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca u shpreh se nëpërmjet Reçakut, bota demokratike e kishte kuptuar se “gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës”.
“Ky ishte njëri ndër aktet më mizore të regjimit së Serbisë, e po ashtu për botën demokratike shënoi edhe vijën e kuqe për Serbinë okupatore që i solli edhe bombardimet e NATO-s pastaj. Gjë që i hapi rrugë edhe çlirimit të plotë të Kosovës. Pas Reçakut, bota demokratike e kuptoi se gjuha të cilën e njeh Serbia është gjuha e forcës, sepse nuk do të ndalej lufta dhe masakrat që po i kryente gjithandej Kosovës. Prandaj, gjithmonë do të mblidhemi këtu, për t’i kujtuar edhe martirët e Reçakut, e edhe dëshmorët që rënë në përpjekje për të mbrojtur popullatën civile të Reçakut”, tha Konjufca.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se civilët e vrarë në masakrën e Reçakut nuk u varrosën deri pas katër javësh, pasi kishte luftime dhe se ky është tregues që Serbia është përpjekur ta deformojë të vërtetën.
Gjatë nderimeve që i bëri të hënën në Reçak, Kurti ka falënderuar ish-ambasadorin e misionit të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili i tregoi botës se çfarë kishte ndodhur në këtë vend.
“Kur ndodhi masakra e Reçakut, ambasadori William Walker si udhëheqës i misionit të OSBE-së në Kosovë erdhi këtu te fshatarët dhe e foli të vërtetën, tha kjo është masakër dhe krim kundër njerëzimit. E dimë që e vërteta është armiku më i madh i diktatorëve dhe shovinistëve andaj edhe sot e kësaj dite ambasadori William Walker vazhdon të jetë ndërkombëtari më i sulmuar edhe më i urryer në Serbi, ku vazhdon të dominojë një regjim autoritar me ç’rast ish-ministri i informatave të asaj kohe sot është president i Serbisë”, ka thënë Kurti.
Në masakrën e Reçakut, më 15 janar 1999 u vranë 45 shqiptarë.
Masakra u organizua dhe u krye nga forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe.
Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.
Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 26 zyrtarëve policorë që dyshohen për marrje ryshfeti.
Aktakuza në Gjykatën Themelore në Prishtinës u ngrit kundër pandehurve A.K., B.H., B.P., B.O., B.S., D.Z., F.H., F.R., H.S., H.H., I.I., I.S., K.S., M.S., N.H., N.S., R.M., R.K., R.G., S.K., S.Q., S.P., S.H., SH.A., SH.SH., Z.P.
“Të gjithë të pandehurit akuzohen se në cilësi të zyrtarëve policorë, me detyrë në SMPK – Pika Kufitare Vërmicë, me veprimet e tyre kane kryer veprën penale: ‘Marrja e ryshfetit’ “, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Donald Trump është zgjedhur president i SHBA-së, duke shënuar një rikthim historik pas mandatit të tij të parë në vitin 2016. Kjo fitore e bën atë presidentin e parë në historinë amerikane që mban dy mandate jo të njëpasnjëshme, si presidenti i 45-të dhe i 47-të i SHBA-së.
Kandidati republikan siguroi një mbështetje të mjaftueshme nga votuesit amerikanë për të rikthyer udhëheqjen në Shtëpinë e Bardhë.
Trump përmbylli një nga fushatat më të polarizuara dhe të ndjekura nga afër në historinë e vendit, duke thirrur amerikanët të “bëjnë Amerikën të madhërishme sërish.”
Ky mandat i dytë historik pritet të sjellë ndryshime në fusha të rëndësishme, si ekonomia, politika e jashtme dhe emigracioni. Fitorja e tij tregon një ndryshim të mundshëm të kursit të SHBA-së në arenën ndërkombëtare, ku priten qëndrime të forta ndaj partnerëve dhe rivalëve globalë.
Reagimet ndërkombëtare për fitoren e Trump janë të shumta dhe të ndryshme. Disa liderë kanë shprehur urimet e tyre për presidentin e ri, ndërsa të tjerë janë shfaqur të kujdesshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me SHBA-në në sfidat globale.
Trump, 78-vjeçar, hyn në histori si kandidati më i moshuar që ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Ai është i pari edhe për faktin që është përballur me disa procese gjyqësore dhe i pari ish-president që është ndëshkuar me dënim penal.