Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka dënuar dhunën që raportohet se i është bërë politikanit serb, Nikola Sanduloviq, në Serbi duke i kërkuar njëkohësisht bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojë këtë akt, siç u shpreh “të brutalitetit të shtetit serb, që është i orientuar sa drejt Republikës së Kosovës, aq edhe drejt figurave publike që i shërbejnë përparimit të marrëdhënieve tona”.
Konjufca shprehu shqetësimin për raportet se në torturat ndaj Sanduloviqit ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radoiçiq.
“Në një situatë të frikësimit dhe territ mediatik në Serbi, aludimi shqetësues se në torturim ka marrë pjesë edhe terroristi Milan Radojçiq, i kërkuar nga Republika e Kosovës dhe ndërkombëtarisht për sulmin terrorist në Banjskë, akoma nuk është sqaruar”, ka shkruar ai duke shtuar se kështu po sulmohet edhe mundësia për pajtim politik mes Kosovës dhe Serbisë.
“Përpjekja për të trembur dhe zmbrapsur politikanë si z. Sanduloviq, i cili sulmohet pikërisht se njeh sovranitetin e Republikës së Kosovës dhe kërkon falje për krimet e Serbisë ndaj shqiptarëve, vjen si sulm ndaj mundësisë së një pajtimi të drejtë politik mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe ndaj kulturës politike evropiane në Serbi”, ka shkruar Konjufca në Facebook.
Sanduloviqi ishte arrestuar të mërkurën nga Agjencia e Inteligjencës e Serbisë (BIA). Sipas familjes dhe avokatit të tij, Çedomir Stojanoviq, arsyeja ishte një postim i tij në rrjetin social “X “ për homazhe te varrezat e familjes Jashari në Prekaz, duke thënë se është i vetmi politikan nga Serbia që nderoi viktimat e pafajshme shqiptare.
Avokati Stojanoviq ka publikuar edhe akuzën zyrtare, sipas së cilës ‘Sanduloviq përhapi urrejtje ndaj serbëve duke vendosur lule në varrezat e shqiptarëve dhe kërkoi falje nga shqiptarët për krimet e kryera.”
Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.
Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.
Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 26 zyrtarëve policorë që dyshohen për marrje ryshfeti.
Aktakuza në Gjykatën Themelore në Prishtinës u ngrit kundër pandehurve A.K., B.H., B.P., B.O., B.S., D.Z., F.H., F.R., H.S., H.H., I.I., I.S., K.S., M.S., N.H., N.S., R.M., R.K., R.G., S.K., S.Q., S.P., S.H., SH.A., SH.SH., Z.P.
“Të gjithë të pandehurit akuzohen se në cilësi të zyrtarëve policorë, me detyrë në SMPK – Pika Kufitare Vërmicë, me veprimet e tyre kane kryer veprën penale: ‘Marrja e ryshfetit’ “, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Donald Trump është zgjedhur president i SHBA-së, duke shënuar një rikthim historik pas mandatit të tij të parë në vitin 2016. Kjo fitore e bën atë presidentin e parë në historinë amerikane që mban dy mandate jo të njëpasnjëshme, si presidenti i 45-të dhe i 47-të i SHBA-së.
Kandidati republikan siguroi një mbështetje të mjaftueshme nga votuesit amerikanë për të rikthyer udhëheqjen në Shtëpinë e Bardhë.
Trump përmbylli një nga fushatat më të polarizuara dhe të ndjekura nga afër në historinë e vendit, duke thirrur amerikanët të “bëjnë Amerikën të madhërishme sërish.”
Ky mandat i dytë historik pritet të sjellë ndryshime në fusha të rëndësishme, si ekonomia, politika e jashtme dhe emigracioni. Fitorja e tij tregon një ndryshim të mundshëm të kursit të SHBA-së në arenën ndërkombëtare, ku priten qëndrime të forta ndaj partnerëve dhe rivalëve globalë.
Reagimet ndërkombëtare për fitoren e Trump janë të shumta dhe të ndryshme. Disa liderë kanë shprehur urimet e tyre për presidentin e ri, ndërsa të tjerë janë shfaqur të kujdesshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me SHBA-në në sfidat globale.
Trump, 78-vjeçar, hyn në histori si kandidati më i moshuar që ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Ai është i pari edhe për faktin që është përballur me disa procese gjyqësore dhe i pari ish-president që është ndëshkuar me dënim penal.