Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka paralajmëruar të mërkurën ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik.
Ai e ka përmendur se vetëm ditëve të fundit kanë vdekur katër individë nga aksidentet në trafik, tre prej tyre si pasojë e garave të jashtëligjshme automobilistike në autostradën Ibrahim Rugova në Prizren.
Sveçla ka thënë se përmes masave që do të merren ndaj shkelësve, masa do të ketë edhe ndaj, siç ka thënë ai, neglizhencës së zyrtarëve policorë për trajtim me prioritet të garave të paligjshme.
Ai ka thënë se vetëm këtë vit janë dhënë 76 gjoba ndaj personave që kanë organizuar gara të tilla, që shkaktojnë rrezik të përgjithshëm në komunikacion.
Sveçla ka thënë se në kuadër të ndryshimeve në ligjin për trafik do të kërkojë që garat e paligjshme të konsiderohen vepër penale.
“Policia e Kosovës, të njëjtin grup e kishte parandaluar dy herë në organizmin e garave të tilla. Siç tashmë është bërë publike në shumë media, të njëjtit kanë pasuar gjoba të njëpasnjëshme për tejkalim shpejtësie, dhe njërit i është konfiskuar patent-shoferi për filmim dhe publikim të këtyre garave”.
Ai ka thënë se tashmë është “iniciuar hetim disiplinor për përgjegjësi menaxheriale, janë lëvizur dy komandantë të njësive të trafikut, dhe është krijuar plan i ri operativ për trafikun rrugor”.
Sveçla ka thënë se tashmë është miratuar një lexim të parë në Kuvendin e Kosovës, ligji për ashpërsim të masave për shkelësit e rregullave në trafik, dhe aktualisht është duke u shqyrtuar nëpër komisionet e përhershme, para se të miratohet në lexim të dytë.
“Këtë vit kemi humbur 104 qytetarë në aksidente komunikacioni, duke përfshirë edhe këmbësorë. Ne si shoqëri dhe si shtet, nuk kemi asnjë qytetar për të humbur, veçanërisht për shkak të pakujdesisë së dikujt apo mosrealizimit të detyrave të zyrtarëve tanë”.
Ministri ka thënë se ligji i ri, nëse miratohet, parasheh dyfishim të gjobave, konfiskim të patent-shoferëve dhe dyfishim të pikëve, dhe se barra kryesore do të rëndojë mbi pronarin e makinës.
“Përmes teknologjisë do të penalizojmë pronarët veturave, atyre veturave që bëjnë shkelje në trafik, e dënimet do të dërgohen në mënyrë të automatizuar te pronarët”.
Mes tjerash, Sveçla ka përmendur se mesatarja e vdekjeve në trafik, në 21 vjetët e fundit, shkon në 133. Ai u ka bërë thirrje prokurorisë dhe gjykatave për të vendosur masa më të rrepta për shkelësit, dhe zbatim të rregullave dhe ligjeve, pa kompromis, nga zyrtarët policorë.
/REL/