Në fjalimin e saj para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara , presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani , tha se më 24 shtator plani i Serbisë ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës.
Duke iu përgjigjur njëkohësisht edhe përfaqësuesit të Rusisë në KS-të OKB-së, Vasily Nebenzya, i cili teksa foli për sulmin e armatosur në Banjskë e quajti si “të ekzagjeruar” dhe akuzoi Kosovën për “shtypje” të serbëve”, presidentja Osmani tha se mjafton të dëgjohet fjalimi i Federatës Ruse për të kuptuar se cila palë po thotë të vërtetën dhe cila po hedh falsifikime përmes një makinerie propagandistike.
“Rusia edhe një herë përdori propagandë kundër popullit të Kosovës dhe kundër atyre që luftuan për lirinë e Kosovës, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dallimi më i madh mes Kosovës dhe Serbisë është se ne nuk kemi frikë nga drejtësia, prandaj edhe ne vetë kemi krijuar dhomat e specializuara sepse nuk do të lejojmë që të krijohet një ekuivalencë morale mes atyre që kryen gjenocid dhe atyre që mbrojtën popullin tonë nga gjenocidi, siç ishte rasti në të kaluarën, ne kemi besim të plotë se drejtësia do të triumfojë përsëri. …. Ju dëgjuat Rusinë dhe zonjushën Bërnabiq sot duke folur për të ashtuquajturin ‘terror të Kurtit’, tha Osmani duke shtuar se “Kurti është kryeministër i Republikës së Kosovës, por ka qenë edhe i burgosur lufte, pothuajse i torturuar deri në vdekje në burgjet e tyre, ndërsa presidenti i Serbisë po ato vite ishte Ministër i Propagandës për Millosheviqin. Dhe sikur të mos mjaftonte, ata publikisht deklarojnë edhe në ditët e sotme, përfshirë edhe mbrëmë nga presidenti i Serbisë, se dëshirojnë që Kurtin të mos e kishin liruar kurrë të gjallë nga burgjet. Mirëpo përsëri, kryeministri i Kosovës ka zgjedhur dialogun. Në atë tryezë, të udhëhequr nga negociatorët e BE-së, në njërën anë keni kryeministrin e Kosovës, një i burgosur lufte pothuajse i torturuar për vdekje, dhe në anën tjetër keni ministrin e propagandës, të regjimit që e torturoi. Por ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mjeti i vetëm për zgjidhjen e çdo mosmarrëveshjeje mes nesh, sepse Kosova është një vend plot me Mandela, Gandi dhe Martin Luther King-a, me njerëz që përpiqen për të ardhmen, për paqen dhe pajtimin”.
“Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”, u shpreh presidentja Osmani duke theksuar gjithashtu se parlamenti, qeveria, çdo institucion e çdo shtëpi në Republikën e Kosovës është plot me të mbijetuar të krimeve të tmerrshme, por të gjithë janë të përkushtuar dhe duke punuar për paqen.