Connect with us

Lajme

Kurti: Nuk mund të kemi normalizim pa siguri

Published

on

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk mund të ketë normalizim të raporteve me Serbinë, pa pasur siguri në Kosovë.

Këto komente Kurti i bëri gjatë një ngjarjeje në Shtime, kur u pyet se çfarë pritet të kërkohet nga Kosova gjatë vizitës së pesë përfaqësuesve ndërkombëtarë më 21 tetor.

Çka do të kërkojnë dhe çfarë do të ofrojnë e marrim vesh nesër. Unë mund të them se nuk mund të kemi normalizim pa siguri dhe siguria e Kosovës duhet të jetë prioritet edhe për institucionet e shtetit, për popullin dhe shoqërinë”, tha Kurti.

Më 21 tetor, në Kosovë dhe Serbi, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak, së bashku me emisarët e Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Shteteve të Bashkuara do të takohet në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe në Beogradi me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Në BE kanë thënë se qëllimi kryesor i vizitës në Kosovë dhe Serbi është ringjallja e dialogut, me synim që palët të zbatojnë obligimet që dalin nga marrëveshjet e arritura, por edhe të rivendoset stabiliteti në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe.

Së bashku me Lajçakun, në vizitë do të jenë edhe Emanuel Bonne, këshilltar për siguri dhe politikë të jashtme i presidentit të Francës , ai i kancelarit gjerman, Jens Plotner, dhe i kryeministres së Italisë, Francesco Talo. Me ta do të jetë në delegacion edhe i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Diplomatët ndërkombëtarë po ashtu pritet të shtyjnë përpara zbatimin e Marrëveshjes drejt normalizimit, që Kosova dhe Serbia arritën më herët gjatë këtij viti.

Gjatë prononcimit për gazetarë, Kurti sërish ka fajësuar Serbinë se nuk po e zbaton marrëveshjen, që sipas tij, ka në qendër njohjen de facto të Kosovës.

Kjo marrëveshje, prej 11 nenesh, mes tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të dialogut.

Vizita në Kosovë dhe Serbi e grupit që njihet si “Pesëshja e Madhe” është e para që nga sulmi i 24 shtatorit kundër policisë së Kosovës në Banjskë të Zveçanit.

Burimet diplomatike në Bruksel thanë për Radion Evropa e Lirë se me këtë vizitë ky delegacion dëshiron të dërgojë edhe mesazhin se ka një unitet në BE si dhe mes BE-së dhe SHBA-së në qëndrimin se nuk do të hiqet dorë nga Marrëveshja drejt normalizimit dhe do të kërkojnë nga palët zotim për respektim të obligimeve.

Ndonëse shumica e diplomatëve në Bruksel thonë se “pas sulmit të 24 shtatorit në Banjskë gjërat kanë ndryshuar”, ata nuk janë të sigurt se sa do të ndikojë kjo direkt në procesin e dialogut. Por, ngjarjet në Banjskë, që përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell, dhe Parlamenti Evropian i kanë quajtur “sulme terroriste” kanë kthyer menaxhimin e krizave si prioritet edhe për BE-në, krahas përpjekjeve për përparim në procesin e normalizimit të raporteve.

Pritjet e diplomatëve janë që ndaj Kosovës kërkesa kryesore do të jetë që të gjejë një rrugë për “organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve lokale në katër komunat në veri” dhe zotimin për nisjen e themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Nga Serbia do të kërkojnë para se gjithash që të distancohet nga secili veprim që mund të destabilizojë veriun e Kosovës dhe që po ashtu të zbatojë marrëveshjet të cilat janë arritur më herët në dialog.

Pritjet edhe në BE nga kjo vizitë janë të larta, por kësaj radhe, thanë diplomatët, nuk janë dhënë shumë hollësi rreth asaj se me çfarë kërkesa konkrete ky delegacion shkon në Kosovë dhe Serbi.

Kosova fajëson Serbinë për sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë dhe kërkon që Bashkimi Evropian të vendosë masa ndëshkuese ndaj Serbisë. Kërkesë të ngjashme ka bërë edhe Parlamenti Evropian përmes një rezolute të votuar më 19 tetor, ku thuhet nëse gjendjet një lidhje e drejtpërdrejtë e Serbisë me sulmin, Beogradi duhet të ndëshkohet.

BE-ja më herët ka thënë se po pret përfundimin e hetimeve dhe më mund të ndërmerren hapa dhe masa eventuale. Përgjegjësinë për organizimin e sulmit e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetari i Listës, partisë kryesore të serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit zyrtar. /REL/

Arbëri

Nga mesnata ka filluar heshtja zgjedhore në Maqedoninë e Veriut

Published

on

Nga mesnata, në Maqedoni të Veriut, filloi heshtja zgjedhore në prag të rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale dhe zgjedhjeve parlamentare që përfundon me mbylljen e vendvotimeve më 8 maj në orën 19.

Më 8 maj, në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale qytetarët do të mund të zgjedhin mes kandidatit për president nga koalicioni për Ardhmëri Evropiane, presidenti aktual i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pandarovski dhe Gordana Siljanovska- Davkova, kandidate e partisë opozitare VMRO DPMNE.

Për këto zgjedhje parlamentare u dorëzuan 17 lista kandidatësh, 16 nga partitë dhe koalicionet politike dhe një nga një grup zgjedhësish. Në zgjedhje marrin pjesë 61 parti. Prej tyre, 11 në mënyrë të pavarur dhe 50 në pesë koalicione.

Sot, një ditë para zgjedhjeve, të parët votojnë të sëmurët dhe të pafuqishmit, të burgosurit, të moshuarit dhe të regjistruarit nga diaspora, por vetëm për zgjedhjet presidenciale.

Continue Reading

Kosovë

Polici amerikan vret bashkëshorten shqiptare dhe dy fëmijët e tyre

Published

on

Ornela Morgan, shtetase shqiptare me orgjinë nga Korça bashkë me dy djemtë e saj 10-12 vjeç janë vrarë me armë zjarri nga bashkëshorti i saj amerikan, Watson Morgan në SHBA.

Ky i fundi pas vrasjes që i ka bërë familjes së tij ka vrarë dhe veten.

Prej disa vitesh Ornela Morgan jetonte në New York, bashkë me bashkëshortin e saj Watson Morgan, i cili ishte polic.

Trupat e tyre u gjetën në shtëpinë e tyre në Clarkstown, dhjetëra kilometra larg nga Manhattani, pasi që Morgani nuk ishte lajmëruar në punë.

“Në këtë fazë hetimesh, besohet që Watsoni ka vrarë gruan dhe dy fëmijët e tij, para se ta vriste veten me revole”, ka thënë departamenti policor i Clarkstownit në një komunikatë.

Policia shprehet se ende nuk ka një motiv për ngjarjen e rëndë, ndërkohë që ende vijojnë hetimet.

Continue Reading

Arbëri

Gjykata e vendos nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha

Published

on

Gjykata e Posaçme e Shqipërisë njoftoi të shtunën se e ka vendosur nën arrest shtëpiak ish-kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha, i cili është duke u hetuar nën dyshimet për korrupsion.

Berisha, 79 vjeç, do të mbikëqyret nga policia në banesën e tij, pasi pas këtij vendimi e ka të ndaluar largimin nga ajo dhe komunikimin me persona të tjerë, përjashtuar ata me të cilën jeton, njoftoi gjykata.

Prokuroria e Posaçme e Shqipërisë (SPAK) kishte kërkuar arrest shtëpiak për Berishën, duke thënë se ai e kishte shpërfillur vendimin e prokurorëve për të raportuar në SPAK çdo dy javë dhe për të mos u larguar nga vendi, derisa po hetohej për korrupsion në lidhje me privatizimin e ish-klubit sportiv “Partizani”.

Avokati i Berishës, Genci Gjokutaj e kundërshtoi vendimin dhe tha se do të bëjë ankesë ndaj tij. Mbrojtja e ish-kryeministrit ka pesë ditë kohë për t’u ankuar ndaj vendimin pranë Gjykatës së Posaçme të Apelit.

Më 21 dhjetor, Kuvendi i Shqipërisë votoi në favor të kërkesës së prokurorëve për t’ia hequr imunitetin e deputetit Berishës.

Në tetor, SPAK-u njoftoi se Berisha akuzohet për korrupsion në një rast bashkë me dhëndrin e vet, Jamarbër Malltezi, për privatizimin e paligjshëm të kompleksit sportiv Partizani.

Për çfarë akuzohet Berisha?

Berisha u akuzua në tetor se e kishte abuzuar pozitën e tij duke e ndihmuar dhëndrin Jamarbër Malltezi të blejë tokë në Tiranë e cila ishte në pronësi të qytetarëve dhe Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe t’i ndërtojë 17 ndërtesa banimi në atë tokë.

Berisha dhe Malltezi i kanë hedhur poshtë akuzat, duke pretenduar se rasti ndaj tyre është i nxitur nga partia në pushtet e kryeministrit Edi Rama, Partia Socialiste.

Prej tetorit, deputetët e Partisë Demokratike në opozitë i kanë penguar vazhdimisht seancat e Kuvendit për ta penguar, siç e quajnë ata, sundimin tejet autoritar të socialistëve.

Berisha shërbeu si kryeministër i Shqipërisë nga viti 2005 deri më 2013, si dhe si president nga viti 1992 deri në vitin 1997.

Shtetet e Bashkuara në maj 2021 dhe Britania e Madhe në korrik 2022 ia ndaluan Berishës dhe familjarëve të tij të afër të udhëtojnë në këto dy vende, për shkak të dyshimeve të përfshirjes së tij në korrupsion.

/REL/

Continue Reading

Trending