Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, gjatë një adresimi televiziv më 7 tetor tha se Izraeli është “në luftë”, pas sulmit masiv që militantët e Hamasit nisën më herët gjatë ditës.
“Ne jemi në luftë”, tha Netanyahu. “Nuk është ‘operacion’, por luftë”.
Grupi militant Hamas tha se ka lëshuar mijëra raketa në Izrael mëngjesin e 7 tetorit, duke nxitur autoritetet që të lëshojnë alarme për sulme ajrore në mbarë vendin, përfshirë në Jerusalem dhe Tel Aviv. Izraeli u kundërpërgjigj duke kryer sulme ajrore ndaj caqeve në Rripin e Gazës.
Luftëtarët e Hamasit po ashtu kanë kaluar kufirin e fortifikuar dhe kanë hyrë në Izrael, duke u përleshur me forcat e mbrojtjes së Izraelit në të paktën shtatë lokacione në jug të Izraelit.
Hamasi lëshoi një deklaratë, duke thënë se mbi 5.000 raketa janë lëshuar në atë që e ka quajtur “Operacioni Përmbytja Al-Aksa”.
“Ne kemi vendosur t’i japim fund të gjitha krimeve të pushtimit”, u tha në deklaratë. “Koha e tyre për të kryer krime pa u mbajtur përgjegjës ka mbaruar”.
Sulmi vjen në kohën kur në Izrael po shënohet një festivali fetar bebrej.
Sipas burime në Izrael, 16 persona janë vrarë apo plagosur në jug të shtetit, përfshirë një grua të moshuar, shtëpia e së cilës u godit nga një raketë.
Gjatë një adresimi televiziv, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Yoav Gallant, tha se Hamasi ka bërë “një gabim të madh” dhe u zotua se “shteti i Izraelit do ta fitojë këtë luftë”.
Netanyahu ka urdhëruar “mobilizimin e gjerë të rezervistëve”.
“Armiku do të paguajë me një çmim të paprecedent”, tha ai.
Miliona izraelitë janë strehuar pas lëshimit të alarmeve në qytetet në mbarë shtetin.
Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Gjermania dhe shtetet e tjera kanë lëshuar deklarata duke afirmuar të drejtën e Izraelit për të mbrojtur veten dhe kanë bërë thirrje për armëpushim.
Në deklaratën e Ministrisë së jashtme të Francës u dënuan “sulmet terroriste që po vazhdojnë” dhe Parisi shprehu “solidaritetin e plotë me Izraelin dhe viktimat e këtyre sulmeve”. Ndërkaq, Spanja dënoi “dhunën” kundër Izraelit.
Në Liban, grupi militant Hezbollah lavdëroi Hamasin dhe tha se sulmi ndaj Izraelit ka “mbështetje hyjnore”. /REL/