Komisioni Disiplinor i UEFA-s ka vendosur të gjobisë Federatën Rumune të Futbollit me 52 mijë euro derisa ndeshjen e radhës të organizuar në shtëpi, ekipi rumun do ta zhvillojë pa prani të publikut.
Ky dënim pasoi incidentet në ndeshjen Rumani – Kosovë e luajtur më 12 shtator në kuadër të kualifikimeve për Euro 2024, e cila u ndërpre disa minuta pas thirrjeve raciste nga tifozët rumunë.
Federata Rumune e Futbollit u akuzua për lejimin e shfaqjes dhe brohoritjeve të mesazheve politike, sjelljen raciste të tifozëve, ndezje të fishekzjarrëve, hedhjen e gjësendeve në tokë dhe bllokimin e zonave të qasjes publike.
Kjo federatë në faqen e saj zyrtare njoftoi se ndeshja e radhës ndërmjet Rumanisë dhe Andorës, e planifikuar për 15 tetor nga ora 21:45, do të luhet pa shikues.
Ndeshja e luajtur më 12 shtator u ndërpre për rreth një orë, pasi lojtarët e kombëtares së Kosovës u larguan nga fusha në minutën e 19-të, kur tifozët rumunë shfaqën një pankartë me mbishkrimin “Kosova është Serbi” dhe filluan të thërrisnin “Serbi, Serbi!’
Rumania është një nga vendet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.