Policia e Kosovës ka shoqëruar për intervistë dy zyrtarë të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) dhe një biznesmen nën dyshimin që janë përfshirë në keqpërdorimin e rezervave shtetërore, transmeton Ekonomia Online.
Të ndaluarit janë drejtori i Divizionit për Rezervat Shtetërore të Mallrave, Hafiz Gara, drejtori i Departamentit për Integrim Evropian dhe Koordinim të Politikave, Irfan Lipovica si dhe biznesmeni Ridvan Muharremi.
Gjatë aksionit të sotëm të policisë që filloi në orën 06:00 të mëngjesit, u zhvilluan bastisje në objektin e MINT-it, në banesën dhe në një lokal të biznesmenit të dyshuar.
Ky aksion i policisë vjen pas publikimit të përgjimeve rreth dyshimeve për keqpërdorim të mjeteve për furnizim të rezervave shtetërore.
Në anën tjetër, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë përmes një deklarate të mëhershme tha se procesi i furnizimit me mallra për rezervën shtetërore se është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike.
“MINT siguron se procesi i furnizimit me mallra për Rezervën Shtetërore, me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë, është duke u trajtuar dhe monitoruar sipas legjislacionit në fuqi dhe se nuk ka asnjë keqpërdorim të parasë publike. Kontratat e rezervës shtetërore janë të klasifikuara në nivelin sekret, sipas legjislacionit përkatës në fuqi” thuhet në deklaratën e MINT.