Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve të kenë kujdes të shtuar dhe kontroll të vazhdueshëm të ujit të pijes, për shkak të rritjes të rasteve me meningjit gjatë dy muajve të fundit.
Në komunikatën për media, Ministria e Shëndetësisë kërkon kontroll të shtuar i ujit të pijes dhe pishinave për të parandaluar infeksionet e ndryshme.
Sipas një raporti të Shërbimit Spitalor të Klinikës Universitare të Kosovës, numri i rasteve të raportuara për Sindromën meningjeale gjatë muajve korrik dhe gusht ka shënuar rritje, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Meningjiti mund të prekë këdo që bie në kontakt me agjensin, por disa grupmosha janë më të rrezikuara. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, meningjiti prek më së shumti moshat e reja ngaqë sistemi imunitar tek personat e rinj, kryesisht foshnjat, fëmijët dhe adoleshentët nuk është zhvilluar mjaftueshëm për të luftuar agjentët”, tha Ministria e Shëndetësisë
Shkaktar i sindromës meningjeale janë infeksionet bakteriale ose virale. Ndërsa, si rrugë e përhapjes së infeksionit mund të jenë pishinat, vendet e freskimit, kontakti dhe uji për pije, paralajmëroi ajo.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi edhe për simptomat e meningjitit, për të cilat tha se janë të ngjashme me ato të një gripi normal, por që rëndohen për një kohë shumë të shkurtër.
Meningjiti mund të shfaqet menjëherë ose 3-7 ditë pas marrjes së infeksionit dhe trajtohet vetëm në spital, thuhet mes tjerash në njoftim.
“Tek simptomat e sëmundjes përfshihen: të vjella, marramendje, temperaturë e lartë e trupit, dhimbje e muskujve, ndjeshmëri ndaj dritës, dhimbje e kokës, konfuzion, gjymtyrë të ftohta, skuqje e lëkurës. Ndërsa tek fëmijët mund të ketë edhe simptoma si frymëmarrja e shpejtuar, irritim dhe të qara për një kohë të gjatë, humbje të përqendrimit dhe mungesë oreksi. Sapo të vëreni simptomat e mësipërme apo gjendje të rënduar shëndetësore, duhet menjëherë të konsultoheni tek mjeku”, njoftoi Ministria e Shëndetësisë.