Connect with us

Ferizaj

Milionat e Ferizajt, pa firmën e Agim Aliut

Published

on

25 tenderë me vlerë të madhe janë nënshkruar nga Komuna e Ferizajt që nga dita kur Agim Aliu u rizgjodh  si kryetar i kësaj komune.

Vlera e përgjithshme e të gjithë këtyre tenderëve së bashku, duke llogaritë edhe vlerën e parashikuar të atyre që janë kontrata kornizë, është mbi 14.4 milionë euro.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, kontratat të cilat kanë vlera të mëdha, duhet të jenë të nënshkruara nga kryetari i Komunës, si  Zyrtar Kryesor Administrativ në këtë nivel të qeverisjes.

Mirëpo nga 25 kontrata të mëdha të nënshkruara nga Komuna e Ferizajt, asnjëra nuk është e nënshkruar  nga kryetari Agim Aliu, por nga zëvendësi i tij, nënkryetari Lulzim Aliu.

Gjurmëve të analizës sonë se pse kryetari i Ferizajt po iu ikë përgjegjësive të veta ligjore, duke ua lënë “patatet e nxehta” vartësve të tij,  TV TEMA ka kërkuar interpretim nga Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik (KRRP), lidhur me këtë dyshim për shkelje ligjore nga i pari i Ferizajt.

Në përgjigjen e vet KRPP thotë: “Rastet e nënshkrimit të kontratave publike me vlerë të madhe nga nënkryetari i Komunës dhe/ose çështja e autorizimit të kryetarit të Komunës për nënkryetarin nuk është e rregulluar me dispozita të këtij ligji dhe të legjislacionit dytësor të nxjerrë nga KRPP në bazë të autorizimeve që i janë dhënë me këtë ligj. Megjithatë Opinioni i KRPP-së është si në vijim: Në mungesë të Kryetarit të Komunës, një kontratë me vlerë të madhe mund të nënshkruhet nga personi i dytë pas Kryetarit të Komunës (Nënkryetari) në bazë të autorizimit të dhënë nga Kryetari“.

Pra sipas KRPP-së, nënkryetari mund t’i nënshkruajë kontratat e vlerave të mëdha vetëm në mungesë të kryetarit të Komunës, kur autorizohet nga i njejti.  

Duke e bërë krahasimin e datave të nënshkrimit  të shumicës së këtyre kontratave, me provat vizuele për lokacionin e të parit të komunës së Ferizajt në ato data, shihet qartë se kryetari Aliu ka qenë në zyre dhe se nuk ka qenë jashtë vendit apo në pushime,  në mënyrë që të krijoheshin rrethanat ligjore për nënshkrim të autorizuar nga vartësi i parë i tij.

Më datë 28 shkurt 2022, janë nënshkruar dy kontrata me vlerë të madhe nga nënkryetari, ndërsa në po të njëjtën ditë, kryetari i Komunës me dorë të vet i nënshkruan 3 vendime të tjera.

Më 17 maj 2022, gjersa kryetari i Ferizajt në “odën e tij” komunale priste dy mysafirë e  shpërndante postime në Facebook, pasuar me vizita të bëra në qytet, por nuk nënshkruajti edhe tenderin për furnizim të fermerëve me serra.

Ngjashëm ishte edhe më 18 maj 2022, kur kryetari Aliu i nënshkroi katër vendime të veta dhe priti mysafirë në zyre, ndërsa iu shmang obligimit ligjor për nënshkrimin e kontratës me vlerë të madhe. 

 

23 maji i atij viti nuk kishte shumë dallim, kryetari nënshkroi një vendim, kurse nënkryetari nënshkroi tenderin për furnizimin e fermerëve me lopë, tender në vlerë prej 156 mijë euro.

Më 16 qershor 2022, nënkryetari Aliu nënshkroi edhe një tender, kësaj radhe atë për sigurimin fizik të Komunës edhe pse kryetari Aliu nënshkroi 3 vendime vet dhe pati një takim në zyre e një vizitë në një shkollë.

Më 13 shtator 2022, kryetari Agim Aliu gjeti kohë të nënshkruajë  2  vendime të veta, u takua edhe me Ministrin e Kulturës Hajrulla Çeku, kurse kishte “harruar” që ta nënshkruajë edhe një tender tjetër të madh.

Më 29 shtator 2022, kryetari priti në takim përfaqësuesit e USAID-it, mirëpo tenderin e asaj date sërish ia la për nënshkrim  nënkryetarit të tij.

Rrjedhë e ngjashme ishte edhe në ditën vijuese,  pra më 30 shtator, kur kryetari Aliu e nënshkroi një vendim tjetër, por tenderin për shtrimin e rrugës Varosh-Gërlicë ia la për nënshkrim vartësit të tij.

Më 11 nëntor 2022, kryetari i Ferizajt po merrej me takime në zyren e tij, por jo edhe me nënshkrim të tenderit të madh “Drenimi dhe mirëmbajtja e jashtme e objekteve publike”, duke i ikur përgjegjësisë ekskluzive që ia ngarkon ligji.

Edhe me rastin e nënshkrimit të tenderit të dyshimtë “Aktivitete për 150 vjetorin e qytetit të Ferizajt”,  ndonëse gjendej  në zyren e tij,  edhe më këtë rast kryetari nuk e vuri firmën e tij në atë pazar shtetëror.

Kur më 2 mars të këtij viti u nënshkrua një kontratë kornizë me vlerë të parashikuar prej 1.2 milionë eurosh, kryetari Aliu ishte në zyre, sepse vet i nënshkroi 3 vendime të tjera, por jo edhe këtë kontratë të madhe.

Më 6 mars u nënshkrua tenderi për mirëmbajtjen e rrugëve me shenja horizontale, kryetari nënshkroi hiç më pak se gjashtë vendime, atë ditë mori pjesë edhe në homazhe, por nëshkrimit të tenderit të madh i iku.

Më 31 mars të këtij viti, kryetari mori pjesë në seancën e Kuvendit komunal e pati edhe një takim në zyre por që përsëri tenderin e kësaj date nuk e nënshkroi vet.

Dita më interesante e të gjitha nënshkrimeve është 14 marsi i këtij viti, apo “dita e teleportimit Ferizaj- Stamboll”.  Në këtë datë, nënkryetari i komunës i nënshkroi dy tenderë, firmën e kryetarit e mbajnë  katër vendime,  derisa  në rrjetin Facebook kryetari Aliu e publikoi  postimin se po qëndronte në Turqi.

Kur u nënshkruan tenderët e 27 prillit 2022, ai i 13 tetorit 2022, ai i 24 tetorit 2022, i 29 nëntorit 2022 dhe ai i 21 marsit 2023, kryetari nuk ishte në Kosovë, kjo shihet qartë nga postimet e tij në facebook nga Tirana, Suedia e Strasburgu.

Lidhur me shmangien e Kryetarit të Ferizajt nga përgjegjësia e tij ligjore për nënshkrim të kontratave të mëdha, si dhe për ta sqaruar punën e  “teleportimit” Ferizaj-Stamboll, kur në të njejtën ditë Agim Aliu edhe nënshkroi  vendime të protokolura, edhe njëkohësisht gjendej në Turqi, redaksia iu drejtua kabinetit të kryetarit për sqarime.  Por askush nga zyrtarët nuk ishte i gatshëm të përgjigjej.  

TV TEMA gjithashtu kishte kërkuar qasje në autorizimin me shkrim që kryetari i komunës i ka dhënë nënkryetarit për të nënshkruar tenderët, por përgjigjja e vetme zyrtare është se “Nënkryetari i Komunës, ka autorizimin diktuar nga detyra zyrtare, në mungesë apo në zëvendësim të Kryetarit të Komunës“.

Lajmi edhe në video:

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjen e 4 personave në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji F.I. që dyshohet se sulmoi dhe theri me thikë katër persona në Ferizaj.

I dyshuari ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin ku si pasojë në mesin e të plagosurve ishin edhe dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare .

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike pasi që të katër të plagosurit janë të komunitetit RAE.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, i pandehuri F.I., ka tentuar t’i privojë nga jeta  dy të mitura, pjesëtarë të komunitetit RAE.

I poandehuri i sulmon ato nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Më tej, Prokuroria thotë se i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., derisa ai ishte duke hyrë në një lokal.

I pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i pandehuri sulmon edhe të dëmtuarin E.A., duke tentuar të privoj nga jeta, duke e goditur me thikë nga mbrapa, në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto sulme dhe plagosje, i pandehuri dyshohet se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Continue Reading

Ferizaj

Vajza 10 vjeçare e plagosur me thikë në gjendje të rëndë shëndetësore

Published

on

Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.

Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.

Continue Reading

Ferizaj

Policia e Ferizajt arrestoi të dyshuarin që theri me thikë 4 persona.

Published

on

Një burrë në rrethana të panjohura ka therur me thikë katër persona në Ferizaj. Sulmi ndaj këtyre katër kalimtarëve të rastit, prej tyre dy femra të moshës nën 18 vjeç dhe dy meshkujve të rritur të mashave rreth 30 vjeç,  ndodhi rreth orës 15:40 në tre lokacione të ndryshme në rrugët “Enver Topalli”, “Halim Spahija” dhe “Ejup Statovci” në Ferizaj.

Të lënduarit fillimisht janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj. Dy nga të plagosurit më rëndë  janë dërguar në QKUK – Prishtinë, ndërsa dy të tjerë janë duke u trajtuar në Ferizaj.

I dyshuari për këto sulme E.S (59 vjeç) është arrestuar rreth orës 16:40 në në afërsi të qendrës tregtare  ” Plus Market” në rrugën “Riza Matoshi”.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.

“Ekipe të shumta të policisë, përfshirë, edhe Njësinë e Reagimit të Shpejtë kanë nisur kërkimin e personit të dyshuar. Pas një pune intensive të kërkimit, rreth orës 16:40 kanë arritur që në rrugën ” Besim Rexhepi” në afërsi të qendrës tregtare ” Plus Market” të arrestojnë të dyshuarin E.S ( M/K) i moshës rreth 59 vjeçar, i cili nën masa të sigurisë është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj. Hetuesit dhe krim-teknikët rajonal janë duke i ekzaminuar vendet e incidentit, ndërsa është gjetur edhe një mjet i mprehtë ( thikë) me të cilën dyshohet se është përdorur në rastet e sipër përmendura.

Për të gjitha veprimet policore është njoftuar prokurori i shtetit”, tha Veseli për Televizionin Tema.

Continue Reading

Trending