Ministri i punëve të jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, në një intervistë për gazetën “Novosti” (novosti.rs) të realizuar më 6 nëntor 2022, deklaroi se institucionet shtetërore të Serbisë njëzëri e kanë refuzuar planin franko-gjerman për marrëveshjen gjithëpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë, duke e cilësuar si të papranueshëm.
Në pyetjen e gazetares së të përditshmes beogradase “Novosti”, se cili do të jetë reagimi i Serbisë ndaj “ofertave dhe presioneve të padrejta”, siç i cilësoi gazetarja, për çështjen e Kosovës, Daçiq u përgjigj:
“– Duhet të dimë se nuk do të marrim kurrë një zgjidhje që do të jetë ideale për ne. As për Prishtinën, por ata nuk më interesojnë. Jemi në një hapësirë ku nuk ka zgjidhje ideale dhe ku duhet të matim me kujdes atë që mund dhe nuk mund të pranojmë pa i cenuar interesat tona më të rëndësishme.”
Në komentin e gazetares së me planin e Scholz-it dhe Macron-it, Serbisë po i ofrohet pranimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara në këmbim të një perspektive të turbullt evropiane, Daçiq u përgjigj:
“- Ata nisen nga qëndrimi se pavarësia e Kosovës tashmë është punë e kryer, por ne nuk e pranojmë këtë. Ne duam të flasim dhe gjatë gjithë kohës tregojmë se jemi konstruktivë, kemi propozime për kompromis, por nuk mund t’i bëjmë ato marrëveshje të papritura. Konkluzioni nga seanca e Këshillit të Sigurisë Kombëtare është se ky propozim është i papranueshëm për ne dhe të gjithë votuam “po”. Nuk na jep mundësi të flasim, sepse baza nga e cila nis – që Kosova është shtet i pavarur, është e papranueshme për ne. Dhe kjo, nëse do ta njihni apo jo në kuptimin formal, por do të pajtoheni që Kosova është anëtare e OKB-së, është shumë e vështirë për ne. “ – deklaroi Daçiq në fund të intervistës për gazetën serbe Novosti.