Mësimdhënësit në Kosovë do të vazhdojnë grevën në afat të pacaktuar deri në plotësimin e kërkesave, ka thënë kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jasharaj.
Jasharaj ka folur për akuzat e rënda të anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Elvis Hoxha, për të cilin thotë se i kanë shkaktuar madje edhe telashe shëndetësore.
Jasharaj ka drejtuar akuza në drejtim të Qeverisë Kurti, për të cilin thotë se po mundohet t’i përçajë sindikatat.
“Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij kanë një qasje tejet të gabuar ndaj sindikatave. Në vend të dialogut fillimisht kanë zgjedhur deklarata që ‘ky nuk e meriton’ e këso deklarata tjera. Janë përzier në punët e sindikatave që është e ndaluar edhe me konventat ndërkombëtare, pastaj në vend të dialogut filluan të më fyenin, dhe këto i përballova, pastaj u munduan të më shpallnin hajn, por çdo gjë u vërtetua se nuk jam i tillë. Pastaj doli ajo deklarata e tmerrshme që më kushtoi më përkeqësimin e shëndetit tim, ngase shokët që ishin këtu më kanë parë. Nuk më ka ndodh kurrë ashtu një gjendje krize kur i tërë trupi më dridhej, dhe e pash që e humba kontrollin. U pa që pas një kohë e demantoi vetveten duke thënë se është bazuar në lajme të rrejshme”, u shpreh Jasharaj.
Ai ka thënë se qeveria në vend të dialogut, po humb kohë e orë duke shëtitur nga një komunë në tjetrën, duke vizituar ndonjë shkollë.
Jasharaj ka shtuar se deklaratat e Kurtit nuk do ta zmbrapsin.
“Po të dojë Qeveria, që sot ta thërras kryetarin Hykolli dhe Këshillin Grevist, nëse unë jam një njëri i padëshiruar unë nuk shkoj. Jam i gatshëm që të takohem, por nëse shihem si pengesë nga pala tjetër, ka djem e vajza që udhëheqin për mrekulli sindikatën, veç le të fillojë dialogu. Po nuk ndodhi kështu, atëherë greva do të vazhdojë sepse ky është vullnet i anëtarësisë i jo vetëm i SBASHK-ut, por edhe i sindikatave tjera”, u shpreh Jashari.
Greva e përgjithshme e sektorit publik në Kosovë ka nisur më 25 gusht. Punonjësit po kërkojnë ndër të tjerë, 100 euro shtesë në pagë deri në realizimin e Ligjit të Pagave. Gjatë ditës së premte është mbajtur një takim i Këshillit Ekonomik-Social, mirëpo pa ndonjë zgjidhje.
Një takim është zhvilluar të premten edhe ndërmjet ministres së Arsimit, Arbërie Nagavci dhe SBASHK-ut, por nuk është arritur ndonjë marrëveshje e cila do ta ndërpriste grevën në shkolla./EO