Ndonëse sot institucioni i Policisë së Kosovës po e shënon 23-vjetorin e themelimit, pjesëtarët policorë ende nuk gëzojnë sigurimet shëndetësore. E ky 23 vjetor policët po i gjen edhe pa Ligjin për pensionim të parakohshëm, një kërkesë e kamotshme e tyre.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se në rast se Qeveria e Kosovës nuk vepron sa i përket kërkesave të tyre për Ligjin e pagave do të ndërmarrin veprime sindikale.
Ai në një intervistë për KosovaPress tha se Policia e Kosovës duke qenë me moshën më të shtyrë në rajon ka nevojë të madhe për Ligjin për pensionim të parakohshëm.
Sipas tij, ky ligj ndonëse i finalizuar ende nuk është dërguar në Kuvend përkundër zotimit të Qeverisë së Kosovës se kjo do të ndodh shpejt.
“Jemi policia e vetme në botë që nuk ka sigurim shëndetësor, jemi Policia me moshën më të shtyrë në rajon që mosha mestare ka arritur moshën 47-vjeçare dhe ende nuk është dërguar dhe ka qenë i premtuar nga kjo Qeveri që të dërgohet në Kuvend për miratim një draft-ligj i cili është përpunuar dhe është gati veç i finalizuar për pensionim për moshën 55-vjeçare. Arsyeja e vetme është se zyrtari policor pas gjithë këtyre sfidave që i bënë gjatë shërbimit duke rrezikuar shëndetin dhe jetën e vet kur e arrin moshën 65-vjeçare është pa pension, po e them pa pension me plot kuptimin e fjalës”, theksoi Zeqiri.
Sipas tij, ofrimi i sigurimeve shëndetësore nuk është kosto e papërballueshme për buxhetin e vendit.
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri tha se aktualisht kanë ofruar dialog social për Qeverinë lidhur me pakënaqësitë e tyre për Ligjin e ri të pagave në të kundërtën paralajmëron edhe veprime sindikale.
“Do të ulemi që të bisedojmë çdo detaj rreth këtij projektligji dhe si çdo sindikatë edhe neve nëse na detyrojnë me shkua me ndërmarrë hapa sindikal do të ndërmarrim, por aktualisht e kemi shpallë qeverisë dialog, mirëkuptim dhe dhashtë Zoti dhe po shpresoj se nuk na shtyjnë në atë fazën që edhe ne si Sindikatë të kalojmë në radikalizëm… Ne duhet të veprojmë nëse jo me mirëkuptim atëherë do të veprojmë edhe me veprime sindikale”, u shpreh Zeqiri.
Lidhur me sulmet ndaj zyrtarëve policorë, Zeqiri u shpreh se toleranca e organeve të drejtësisë karshi kryerësve të këtyre veprave penale, po i rritë edhe më shumë sulmet ndaj tyre./KP