Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike në Kosovë (KEDS), i publikoi të martën disa rekomandime se si mund të kursehet energjia elektrike nga amvisëria.
Në mesin e rekomandimeve, KEDS-i tha që pajisjet elektroshtëpiake të përdoren kur energjia është më e lirë, bojleri të përdoret me kujdes dhe të ndalohet furnizimi i pajisjeve kur nuk është e nevojshme.
“Në objektet banesore ku është e pamundur një gjë e tillë, kalimi në ngrohës efiçient si dhe menaxhimi më i mirë i hapësirave të ngrohjes. Amvisëria si një ndër shpenzuesit më të mëdhenj të energjisë elektrike mund të kontribuojë shumë në uljen e konsumit, sidomos aty ku ka mundësi të madhe të kursimit”, thuhet në njoftim.
KEDS-i tha se ditëve në vijim do të përcillen edhe udhëzime për kursim për kategori të tjera.
Këshillat e KEDS-it:
Rrobalarësja
Mënyra e parë e kursimit është përdorimi më i madh i këtyre pajisjeve gjatë tarifës së ulët.
Makina për larjen e rrobave shpenzon më pak energji nëse lani rrobat në temperatura më të ulëta.
Makinat vendosni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi, sepse lagështia përçon rrymën dhe paraqet rrezik, gjithashtu kontrolloni a janë në rregull telat e rrymës, kabllot, spinat. Po ashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosura mirë.
Preferohet që çdo herë makinat larëse t’i mbushni plot para se t’i lëshoni në përdorim, por nëse makina është gjysmë e mbushur, atëherë përdorni programin ekonomik. Shpenzimi i energjisë elektrike është i njëjtë qoftë me ngarkesë të plotë, qoftë me gjysmë ngarkesë.
Makina e rrobave shpenzon energji elektrike për të ngrohur ujin. Nëse e njëjta pajisje i lan rrobat me ujë të ftohtë kjo do të reduktojë koston e shpenzimeve të energjisë elektrike.
Enëlarësja
Nëse keni vendosur të blini makinë të re për larjen e enëve, makinë për larjen apo tharjen e rrobave, atëherë orientohuni në produkte më cilësore dhe më ekonomike, shikoni udhëzimin e prodhuesit ku janë të shkruara karakteristikat kryesore dhe pastaj vendosni cila është më ekonomike.
Vendosjen e makinave e bëni në vende të thata e kurrsesi në vende me lagështi, sepse lagështia përçon rrymën dhe paraqet rrezik, gjithashtu kontrolloni të jenë në rregull telat e rrymës, kabllot, spinat. Gjithashtu kujdesuni që gypat për marrjen dhe zbrazjen e ujit të jenë të vendosur mirë.
Frigoriferi
Në shtëpi frigoriferin mbajeni larg pajisjeve që lirojnë nxehtësi, mbajeni atë në vendin më të ftohtë në shtëpi, kështu kujdeseni që temperaturat e ulëta të qëndrojnë konstant.
Përpara se të fusni ushqimin në frigorifer, lëreni të ftohet, ushqimi i nxehtë kërkon më shumë energji elektrike për t’u ngrirë.
Mos lejoni lagështi në frigorifer, mbuloni enët e ushqimit, pastroni pikat e ujit nga të gjitha enët dhe shishet që i vendosni në të.
Mos lejoni të formohet trashësi e akullit në frigorifer dhe ngrirës, shkrini dhe pastroni ato, sepse do të jenë më efektiv dhe më ekonomik.
Derën e frigoriferit apo të ngritësit mbani të hapur sa më pak që është e mundur dhe bëhuni të kujdesshëm që dera të jetë mirë e mbyllur, sepse depërton ajri i ngrohtë dhe humbet freskia, kështu që atyre ju duhet më shumë kohë për të rikthyer gjendjen paraprake.
Ndriçimi
Zgjidhni poçat e duhur. Llambat LED janë më efiçiente për përdorimin e energjisë elektrike. Ata përdorin 75% më pak energji elektrike sesa llambat inkandeshente dhe zgjasin 25 herë më shumë;
Instaloni sensorë automatikë që funksionojnë me detektim të lëvizjes për ndriçimin e jashtëm;
Mënyra më e mirë për të filluar të kurseni energji elektrike është të fikni dritat në dhomat që nuk i shfrytëzoni;
Është gjithashtu e rëndësishme të keni dritë të mjaftueshme në dhomë, as më shumë e as më pak, provoni të keni shpërndarje të barabartë të dritës;
Hapni roletat apo perdet e dritareve për të lejuar dritën e diellit të hyjë brenda, ndonjëherë drita e diellit mund të ndriçojë më shumë se llambat e zakonshme;
Pastroni pluhurin nga poçat elektrik. Sa më i pastër poçi, aq më shumë dritë përhap në dhomë;
Kur jeni duke lexuar në një vend të veçantë ndriçoni vetëm vendin që ju duhet duke e përdorur një llambë tavoline, në vend që të ndriçoni të gjithë dhomën.
Bojleri
Varësisht nga madhësia, lloji i bojlerit, anëtarët e familjes, si dhe kohën që qëndron i ndezur bojleri, sipas një mesatareje që kanë nxjerrë ekspertët tanët të kursimit, duke analizuar përdorimin e energjisë elektrike, bojleri në shtëpitë tonë shpenzon diku prej 30 deri në 50% të faturës mujore gjatë sezonit të verës, dhe 40 deri në 60% gjatë stinës së dimrit, kuptohet jo në rastet kur edhe ngrohja qendrore është me energji elektrike. Për shembull, për një familje çift me dy fëmijë, do të thotë diku 20 euro gjatë stinës së verës dhe 25 euro gjatë dimrit.
Për kursim të energjisë elektrike, por edhe të xhepit tuaj, ekspertët tanë rekomandojnë:
Lini bojlerin ndezur gjatë natës, saktësisht pas orës 22:00 (tarifa e ulët gjatë dimrit).
Gjatë ditës ndizni bojlerin vetëm sipas nevojës.
Kujdesuni që bojleri në shtëpinë tuaj të mos jetë shumë i vjetër dhe të jetë sa më funksional.
Reduktoni në minimum përdorimin e ujit të ngrohtë në lavaman të kuzhinës apo banjos