Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se sindikalistët që janë në grevë nuk mund të paguhen “për punën që nuk e bëjnë”.
Gjatë një ngjarjeje në Gjakovë, në ditën e përurimit të abetares së përbashkët Kosovë-Serbi, Kurti foli për grevën e punonjësve të arsimit dhe shërbyesve civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës, të cilët janë në grevë nga 25 gushti.
“Njerëzit duhet të paguhen për punën që e bëjnë sipas meritës. Nuk duhet të paguhen për mospunën. Kjo është jo vetëm një çështje e ligjit, jo e Qeverisë, por është një çështje e arsyes të shëndoshë njerëzore. Secili prej nesh jemi punëtorë, nuk jemi pronarë, paguhemi për punën”, tha Kurti.
Reagimi i Kurtit vjen një ditë pas njoftimit të bërë nga ministri i Financave, Hekuran Murati, që tha se autoritetet kompetente kanë bërë ekzekutim të pjesshëm të pagave për muajin gusht. Kjo për arsye se nuk është përditësuar me kohë lista e personelit që ka punuar deri në fund të muajit.
Murati po ashtu tha se përditësim i listës së pagave është i nevojshëm pas grevës që kanë nisur sindikalistët.
Për ekzekutimin e pjesshëm të pagave, Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës, bëri të ditur më 1 shtator se kanë ngritur kallëzim penal. Sindikalistët insistojnë se do të jenë në grevë deri në plotësimin e kërkesave nga Qeveria.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Kurti bëri të ditur se projektligji ndodhet në diskutim paraprak dhe pas një jave do të jetë në diskutim publik.
Pasi të kalojë diskutimet, ai duhet të miratohet në Qeveri dhe Kuvend. Pas kësaj, publikohet në Gazetën Zyrtare dhe hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në këtë gazetë./REL