Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Spitalit në Ferizaj, Halit Gërbeshi, i cili po akuzohet për korrupsion, u deklarua i pafajshëm në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Ferizaj.
Këtë deklarim, i akuzuari Gërbeshi e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sebahate Sinani, dhe pasi që deklaroi se e ka të qartë aktakuzën dhe se nuk kishte nevojë për sqarime shtesë.
Paraprakisht, më 30 maj 2022 është mbajtur seanca fillestare ku gjykatësi i kësaj çështjeje, Habib Zeqiri njoftoi se i akuzuari Halit Gërbeshi ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë Themelore në Ferizaj, të cilën më pas gjykatësi Zeqiri pas deklarimit të të akuzuarit Gërbeshi, e refuzoi.
Pas deklarimit të të akuzuarit, seanca e së martës vazhdoi me fjalën hyrëse, ku prokurorja Sebahate Sinani tha se në seancat në vazhdim do të vërtetohet se i akuzuari ka kryer veprat penale siç i përshkruan aktakuza.
“Dyshimi i bazuar mirë se nga veprimet e të akuzuarit përmbushen elementet e veprës penale të cilat i vihen në barrë, e që gjatë shqyrtimeve gjyqësore do të vërtetohet fajësia, i propozoj gjykatës që të akuzuarin ta gjejë dhe ta shpallë fajtor”, ka thënë prokurorja Sinani.
Përfaqësuesja e palës së dëmtuar, Behare Rexhaj tha se e përkrah fjalën e prokurorës Sebahate Sinani.
Ndryshe, mbrojtësi i të akuzuarit Halit Gërbeshi, avokati Salih Gjonbalaj në fjalën e tij hyrëse tha se kjo aktakuzë nuk është e mbështetur në prova dhe se nga shqyrtimet gjyqësore do të vërtetohet pafajësia e të mbrojturit të tij.
Tutje, në këtë fazë të procedurës u dëgjuan dëshmitarët Dibran Zogaj dhe Hajdin Lata, mirëpo me vendim të kryetarit të trupit gjykues, Habib Zeqiri, është vendosur të ndalohet publikimi i dëshmisë së dëshmitarëve.
Seanca e radhës për këtë rast u caktua më 31 gusht 2022, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë, nga shtatori 2021 e deri në dhjetor 2021, në Ferizaj, i pandehuri në cilësinë e personit zyrtar, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar, në vazhdimësi dhe me dashje, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, me qëllim të përfitimit të dobisë së kundërligjshme pasurore për vete.
Aktakuza thotë se i njëjti, në pompën e derivateve “HIB Petrol” e cila gjendet në Ferizaj, shtatë herë, ka furnizuar me derivate në kuadër të tenderit të spitalit, veturën e tij private të markës HUNDAY, pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues të SHSKUK-së dhe në këtë mënyrë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.
Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.
Tutje thuhet se i njëjti, në muajin dhjetor të vitit 2021, në Spitalin e Përgjithshëm të Ferizajt, si person zyrtar, në pozitën e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit të Spitalit, me dashje dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete, ka ushtruar ndikim të padrejtë në vendimmarrjen e personit zyrtar.
Aktakuza thotë se me ndërmarrjen e këtij veprimi të paligjshëm, i njëjti ka furnizuar me derivate veturën e tij private të markës HUNDAY duke i shkaktuar dëm material buxhetit të Spitalit të Përgjithshëm në Ferizaj në shumë prej 403 euro e 97 centë.
Me çka, ngarkohet se ka kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi