Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), më 29 gusht ka ftuar Qeverinë e Kosovës që të reflektojë lidhur me realizimin e kërkesave të tyre, në mënyrë që të ndërpritet greva e nisur më 25 gusht.
Në grevë janë mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, shërbyesit civilë në institucionet lokale dhe qendrore të Kosovës.
Kërkesa kryesore e sindikatave të këtyre punëtorëve, drejtuar Qeverisë së Kosovës, është ndarja e nga 100 eurove për punëtorët, derisa të hyjë në fuqi Projektligji për pagat.
Të enjten, mësimdhënësit, edukatorët në kopshtet publike, punëtorët e administratës publike e shërbyes civilë Kosovës kanë hyrë në grevë.
Nënkryetari i Këshillit Grevist, Ali Gashi, tha se greva do vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të sindikalistëve.
“BSPK-ja është jashtëzakonisht e interesuar që të negociojë me zyrtarët e Qeverisë. Prandaj, i bëjmë apel ekzekutivit që të reflektojë që të gjendet një zgjidhje për të dyja palët ”, tha Gashi për Radion Evropa e Lirë.
Gashi tha se nëse Qeveria nuk reflekton, greva nuk do të ndërpritet dhe nxënësit nuk do të fillojnë vitin e ri shkollor, që duhet të nisë më 1 shtator.
Nga Sindikata për Arsim kanë paralajmëruar se do të ketë grevë deri në realizimin e kërkesave të punëtorëve.
Ditë më parë, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës ka hartuar Projektligjin për pagat.
Ky legjislacion duhet të kalojë fillimisht procedurat e konsultimeve paraprake e publike dhe, pas miratimit në Qeveri e Kuvend, të publikohet në Gazetën Zyrtare të Kosovës.
Në projektligj, një kopje të të cilit e ka siguruar Radio Evropa e Lirë, thuhet se ai hyn në fuqi tetë muaj pas publikimit në Gazetën Zyrtare.