Connect with us

Arbëri

Escobari dhe Lajçaku presin propozim konkret për çështjet e targave dhe dokumenteve serbe

Published

on

I dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe ai i BE-së për dialogun, Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, thanë se takimet që po realizojnë në Prishtinë, janë për të parandaluar përshkallëzimin e situatës më 1 shtator.

Pas takimit me krerët institucionalë të Kosovës, Escobar tha se pret që Kosova dhe Serbia të kenë një propozim konkret për zgjidhjen e çështjes së targave dhe dokumenteve serbe.

Të dy palët na kanë siguruar se nuk duan përshkallëzim dhe dhunë më 1 shtator. Tani ne jemi këtu që të sigurohemi që ky vullnet i shprehur dhe i gjithë optimizmi të përkthehet në një propozim konkret”, tha Escobar për mediat, pas takimeve që zhvilloi në Presidencë dhe Kryeministri të Kosovës.

Escobar përsëriti se mbështet dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, por edhe Kosovën e Serbinë për të gjetur zgjidhje, siç tha ai, “për këto çështje të vështira”.

Detajet se si shkohet përpara i përkasin dialogut, por unë desha të sigurohem që njerëzit ta kuptojnë se vizioni im është të tregoj mbështetje të plotë për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja”, tha Escobar.

Ndërkaq, Lajçak tha se ka pasur takime të mira dhe të detajuara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Ai tha se këto takime po bëhen për të parandaluar që të përsëriten tensionet, sikurse më 31 korrik.

Mesazhi më i rëndësishëm është se jemi këtu me Gabriel Escobarin pikë së pari për të treguar se uniteti midis BE-së dhe SHBA-së është i plotë dhe nuk mund të jetë më i mirë. Ne po punojmë së bashku sa i përket normalizimit të raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Dhe së dyti, komuniteti ndërkombëtar është shumë i shqetësuar lidhur me atë që pamë në terren më 31 korrik. Dhe pritet nga ne së bashku, ne si negociatorë dhe nga liderët e Kosovës dhe Serbisë që të mos lejojmë që kjo të përsëritet më 31 gusht dhe prandaj jemi këtu”, tha Lajçak.

Gjatë 24 gushtit, Escobar dhe Lajçak do të takohen edhe me liderët e partive opozitare në Kosovës.

Ndërkaq, përmes një postimi për media, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Prishtina asnjëherë nuk ka kontribuar në rritjen e tensioneve.

Kosova asnjëherë nuk ka kontribuar në tensione dhe është angazhuar vazhdimisht për paqe dhe stabilitet si dhe për zgjidhje evropiane. Vendi ynë është i ndërtuar mbi parimin e një shoqërie multietnike ku të gjithë kanë të drejta të barabarta, pa dallim etnie”, shkroi Osmani në Facebook pas takimit me Escobarin dhe Lajçakun.

Dy zyrtarët perëndimorë do të takohen edhe me liderët opozitarë të Kosovës. Qëllimi i vizitës së tyre është që të bindin palët të arrijnë një zgjidhje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe, që rritën tensionet midis Kosovës dhe Serbisë.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë bllokuan rrugët në veri të Kosovës për të kundërshtuar dy vendimet e Qeverisë në Prishtinë për targat dhe dokumentet serbe.

Pas heqjes së barrikadave pasditen e 1 gushtit, Qeveria shtyu zbatimin e vendimeve për 1 shtator.

Vendimi për targat kërkon që të gjitha makinat me targa të lëshuara nga Serbia, me akronime të qyteteve të Kosovës, të riregjistrohen në RKS – Republika e Kosovës.

Ndërkaq, vendimi për dokumentet kërkon lëshimin e një dokumenti për hyrje/dalje për të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në Kosovë. Një dokument të tillë Serbia e lëshon për shtetasit e Kosovës që 11 vjet.

Kosova dhe Serbia nuk arritën marrëveshje gjatë rundit të dialogut më 18 gusht, por BE-ja tha se bisedimet për këtë çështje do të vazhdojnë, me qëllim që të arrihet një ujdi para 1 shtatorit.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se dëshiron që të arrihet një zgjidhje kompromisi, ndërkaq kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është për heqjen dorë nga lëshimi i dokumenteve për hyrje/dalje, nëse edhe Beogradi vepron njëjtë.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi më 24 gusht se në takimin e 18 gushtit në Bruksel, kishte qenë BE-ja që kishte ofruar propozime për çështjen e targave dhe dokumenteve, e jo Serbia, siç kishte thënë më herët presidenti serb, Aleksandar Vuçiq. Ky i fundit ka pretenduar se të gjitha propozimet serbe janë refuzuar nga Kurti./REL

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Arbëri

Në Tiranë arrestohen dy shtetas të Kosovës, dyshohen për trafikim të armëve

Published

on

Policia e Shqipërisë ka arrestuar në Tiranë dy shtetas të Kosovës, nën dyshimin për trafikim të armëve me vlerë rreth10 mijë euro.

Në njoftimin e policisë shqiptare thuhet se të dyshuarit, A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë,  janë arrestuar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”,  nga njësiti për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme.

“Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë ndaluar në autostradën “Lezhë – Fushë Krujë”, automjetin me të cilin qarkullonin shtetasit A. P. dhe K. P., në të cilin, gjatë kontrollit, kanë gjetur dhe sekuestruar 2 armë zjarri pistoleta dhe municion luftarak. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë. 

Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë derisa materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme,” thuhet mes tjerash në njoftim.

Continue Reading

Arbëri

Arrestohet  kryetari Bashkisë së Tiranës,  Erion Veliaj

Published

on

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, është arrestuar mesditën e sotme me urdhër të SPAK.

Ndaj Veliajt, Prokuroria e Posaçme po kryente hetime lidhur me disa akuza, si shpërdorim detyre, korrupsion aktiv, korrupsion pasiv, mosdeklarim i pasurisë dhe pastrim parash.

Ndaj Veliajt është miratuar masa e sigurisë “arrest me burg”.

Gjithashtu mësohet se Gjykata ka miratuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxaj. Zyrtarë të Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer disa herë kontrolle në ambientet e biznesit të bashkëshortes së Veliajt, Ajola Xoxa, dhe vëllait të tij, Arbi Veliaj, transmeton A2CNN.

Continue Reading

Arbëri

Vdes një alpinist bullgar në Majën e Jezercës

Published

on

Një bjeshkatar nga Bullgaria, humbi jetën në afërsi të “Majës së Jezercës” në Shqipëri.

Viktima u gjet pa shenja jete nga ekipi i kërkim-shpëtimit të policisë së Shqipërisë, një ditë pas raportimit se ai dhe një bashkëkombës i tij, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë.

Dyshohet se gjatë ecjes bjeshkatare, 32 vjeçari kishte rrëshqitur nga një lartësi dhe si pasojë e ka humbur jetën.

“Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut. Turisti tjetër është larguar drejt Malit të Zi, në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.

Ky është rasti i dytë i vdekjes tragjike në këtë shteg brenda pak muajve, pasi më 30 mars, këtu humbi jetën edhe një bjeshkatare 43 vjeçare nga Kroacia.

Ndryshe, “Maja e Jezercës” është maja më e lartë e Bjeshkëve të Nemuna, e dyta më e larta në Shqipëri, me lartësi 2,694 metra mbi nivelin e detit. Nga bjeshkatarët alpinistë, shtegu drejt kësaj maje konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, sidomos gjatë sezonit të dimrit.

Continue Reading

Trending