Connect with us

Kosovë

Andin Hoti thotë se Kosova e Serbia nuk janë afër nënshkrimit të marrveshjes për të pagjeturit

Published

on

Kosova dhe Serbia nuk janë afër nënshkrimit të një deklarate për personat e pagjetur, thotë kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështje të personave të zhdukur në kuadër të grupit punues, Andin Hoti.

Shkak për këtë është refuzimi i palës serbe që në deklaratë të përdoret termi “të zhdukur me forcë” dhe çështje të tjera që lidhen me rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces, e për të cilat Hoti flet derisa thekson se Serbia po bënë lojë politike me këtë çështje.

Një deklaratë që do të obligonte palën serbe të hap arkivat sekrete dhe jo sekrete të luftës së fundit dhe do të përfshinte më shumë Bashkimin Evropian në këtë çështjen e të pagjeturve, nuk pritet të nënshkruhet së shpejti në Bruksel.

Serbia nuk po pranon që të pagjeturit të quhen persona të zhdukur me forcë.

I biri i veprimtarit të zhdukur, Ukshin Hotit, thotë se Kosova nuk pajtohet që ky term të largohet në tërësi nga deklarata duke shtuar se i njëjti është një tregues i realitetit se çka ka ndodhur në Kosovë.

“Vazhdojmë të insistojmë dhe nuk e kam ndërmend të ndryshoj këtë qëndrim sepse ai term duhet të jetë në deklaratë për shumë arsye, dhe nuk është arsye politike kjo, sepse jam i bindur që termi ‘të zhdukur me forcë’ obligon të dyja palët, e them sinqerisht, edhe Kosovën edhe Serbisë, e obligon të ofrojnë informacione, të ofrojmë punën tonë për të gjetur personat e zhdukur. Ndërsa nëse ne shkojmë dhe bëjmë deklarata pa pritje të një rezultati konkret në Bruksel atëherë është e dhimbshme për familjarët, dhe unë nuk dua që familjarët të krijojnë shpresa të kota, sepse jemi 22 vite prapa. Prandaj jo, nuk jemi afër (nënshkrimit të deklaratës).”, thotë Hoti.

Çështje të tjera që po diskutohen brenda kësaj deklarate, sipas Hotit, lidhen me rolin e Bashkimit Evropian në këtë proces.

“Pjesë të tjera që po e them, kanë të bëjnë me rolin më të rëndësishëm të Bashkimit Evropian në procesin e personave të zhdukur sepse ne e kemi provuar deri sot dhe vazhdojmë të provojmë këto marrëdhëniet tona Kosovë-Serbi për fatin e personave të zhdukur, ne e dimë se si Serbia luan lojë politike me këtë çështje, prandaj e kemi parë të rëndësishëm që kjo çështje të kalojë në Bruksel, që BE të luajë rol pak më të rëndësishëm, pak më vendimmarrës në çështjet e personave të zhdukur. Edhe këtë e kam kërkuar edhe atje, edhe kjo është një problem që është duke u trajtuar brenda kësaj deklarate”, thotë Hoti.

Hoti thotë se nëse Serbia nuk pajtohet me termin “të zhdukur me forcë” atëherë deklarata në tërësi do të mund të hiqet fare. Ai shton se pala kosovare është duke u përballur me presione në lidhje me këtë çështje.

“Termi ‘persona të zhdukur me forcë’ ka qenë në çdo pikë të deklaratës, jemi mundur të kuptojmë, edhe pse ka qenë e pakuptueshme, edhe me tërheq gati në shumicën prej pikave, dhe e kemi lënë në vetëm një apo dy pika. Nuk kam çka bëj tjetër, ky është sipas meje, ky është edhe fundi i bisedimeve për deklaratën për personat e zhdukur në Bruksel, sa më përket mua, që ne mund të merremi vësh diçka tjetër aty. Nëse Serbia vazhdon të hezitojë atëherë Bashkimi Evropian, apo kushdo qoftë tjetër, le të drejtohet të Serbia, jo të ne… Ne jemi të vendosur, dialogu po vazhdon ende, qëndrimi im është ky, këtë e kam thënë edhe në Bruksel disa herë, mirëpo nuk e nënshkruaj unë (deklaratën) unë jam vetëm pjesë e delegacionit, si do të rrjedh deri në fund nuk e di. Presion të hatashëm kemi si palë kosovare për këtë punë”, thotë Hoti.

Javë më parë, i dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se janë “dy fjalë afër ose dy fjalë larg marrëveshjes për të pagjeturit”.

Ai ka thënë se 99.5% e tekstit të deklaratës është dakorduar veçse nevojitet vullnet politik duke shtuar se do të ketë konsultime për këtë në ditët në vijim./KP

Ferizaj

Vajza 10 vjeçare e plagosur me thikë në gjendje të rëndë shëndetësore

Published

on

Një vajzë 10-vjeçare, e plagosur pas sulmit me thikë në Ferizaj, është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në sallën e operimit në spitalin Emergjent të QKUK-së në Prishtinë.

Në sulmin me thikë pasditen e sotme, janë plagosur katër persona, përfshirë dy të mitura. Për këtë sulm është arrestuar një 59-vjeçar.

Drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla, ka thënë se në klinikë janë sjellë tre persona për t’u trajtuar, ndërsa dy janë në gjendje stabile e një në gjendje më të rëndë, transmeton Koha.net.

Continue Reading

Kosovë

Aktakuzë ndaj 26 policëve të dyshuar për marrje ryshfeti

Published

on

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 26 zyrtarëve policorë që dyshohen për marrje ryshfeti.

Aktakuza në Gjykatën Themelore në Prishtinës u ngrit kundër pandehurve A.K., B.H., B.P., B.O., B.S., D.Z., F.H., F.R., H.S., H.H., I.I., I.S., K.S., M.S., N.H., N.S., R.M., R.K., R.G., S.K., S.Q., S.P., S.H., SH.A., SH.SH., Z.P.

 “Të gjithë të pandehurit akuzohen se në cilësi të zyrtarëve policorë, me detyrë në SMPK – Pika Kufitare Vërmicë, me veprimet e tyre kane kryer veprën penale: ‘Marrja e ryshfetit’ “, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Continue Reading

Kosovë

Trump shpallet president i 47-të i SHBA-së

Published

on

Donald Trump është zgjedhur president i SHBA-së, duke shënuar një rikthim historik pas mandatit të tij të parë në vitin 2016. Kjo fitore e bën atë presidentin e parë në historinë amerikane që mban dy mandate jo të njëpasnjëshme, si presidenti i 45-të dhe i 47-të i SHBA-së.

Kandidati republikan siguroi një mbështetje të mjaftueshme nga votuesit amerikanë për të rikthyer udhëheqjen në Shtëpinë e Bardhë.

Trump përmbylli një nga fushatat më të polarizuara dhe të ndjekura nga afër në historinë e vendit, duke thirrur amerikanët të “bëjnë Amerikën të madhërishme sërish.”

Ky mandat i dytë historik pritet të sjellë ndryshime në fusha të rëndësishme, si ekonomia, politika e jashtme dhe emigracioni. Fitorja e tij tregon një ndryshim të mundshëm të kursit të SHBA-së në arenën ndërkombëtare, ku priten qëndrime të forta ndaj partnerëve dhe rivalëve globalë.

Reagimet ndërkombëtare për fitoren e Trump janë të shumta dhe të ndryshme. Disa liderë kanë shprehur urimet e tyre për presidentin e ri, ndërsa të tjerë janë shfaqur të kujdesshëm, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të qëndrueshëm me SHBA-në në sfidat globale.

Trump, 78-vjeçar, hyn në histori si kandidati më i moshuar që ka fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.

Ai është i pari edhe për faktin që është përballur me disa procese gjyqësore dhe i pari ish-president që është ndëshkuar me dënim penal.

Continue Reading

Trending