Në Mal të Zi, për shkak të përkeqësimit të situatës epidemike të shkaktuar nga koronavirusi, në 15 ditët e ardhshme do të jetë e detyrueshme mbajtja e maskave mbrojtëse, ndërsa autoritetet shëndetësore u kanë bërë thirrje edhe një herë qytetarëve që të vaksinohen kundër virusit Covid-19.
Instituti për Shëndet Publik (IJZ) kërkon që qytetarët të vaksinohen edhe me nga një dozë nëse është e nevojshme dhe konsiderojnë se kjo është mënyra e vetme që shpëton jetë, raporton Rtk.
Drejtori i këtij instituti, Igor Galiq, tha se për shkak të rritjes së numrit të infektuarve dhe të shtruarve në spital, janë vendosur masa, siç është mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse në të gjitha institucionet e administratës publike, si dhe në dyqane ushqimore, barnatore dhe pika karburanti.
Gjithashtu, mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse është vendosur të jetë edhe në ambientet e mbyllura të aeroporte, stacione hekurudhore dhe të autobusëve.
“Nëse këto masa nuk sjellin përmirësim të situatës në periudhën e ardhshme, do të pasojnë masat e mbajtjes së maskave të detyrueshme në të gjitha ambientet e mbyllura”, tha Galiq, duke kërkuar që të gjithë ata që nuk janë vaksinuar, ta bëjnë këtë sa më parë.
Ai ri kujtoi se gjithsej 13 persona kanë vdekur që nga 12 korriku, nga të cilët pesë ishin të vaksinuar, por me status të gabuar të imunizimit.
“Tetë prej tyre nuk ishin vaksinuar fare. Prandaj, nga pesë të vdekurit, asnjë person nuk trajtohet si i imunizuar sepse kanë kaluar gjashtë muaj nga doza e fundit për të gjithë”, tha Galiq, duke thënë se mosha mesatare e të vdekurve të vaksinuar ishte 75, ndërsa i pa vaksinuari 71 vjeç.