Instituti Kombëtar i Shëndetësisë të Publike të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë ditës së djeshme në Laboratorin e Mikrobiologjisë është konfirmuar një rast i infektimit me Li të Majmunëve (Mpox).
“Rasti i gjinisë mashkullore (30 vjeç), shtetas i Republikës së Kosovës, është hospitalizuar në Klinikën Infektive në QKUK me datë 24.12.2024, pas kthimit nga një shtet i Afrikës Perëndimore, me simptoma si temperaturë, ethe, ndryshimet në lëkurë, në fytyrë, në duar dhe kruarje”, thuhet në njoftimin e IKShPK-së.
Gjendja shëndetësore e pacientit është stabile derisa IKSHPK i ka gjurmuar të gjitha kontaktet e deklaruara të personit të infektuar dhe të familjarëve të tij, të cilëve u janë dhënë rekomandimet për masat e parandalimit dhe të kontrollit të infeksionit.
“IKSHPK tërheq vëmendjen për kujdes të qytetarëve, sepse personat që preken nga Mpox-i zakonisht përjetojnë simptoma të lehta apo mesatare që zgjasin dy deri në katër javë, dhe shërohen plotësisht. Edhe pse duhet vigjilencë, nuk ka vend për panik”, thuhet mes tjerash në njoftim.