Ka kohë që Klinika e Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ka mbetur pa medikamentin Sorafenib, i cili përdoret për trajtimin e pacientëve me sëmundjen e kancerit në qelizën renale, mëlçisë dhe tiroideve.
Në përgjigje të pyetjeve të dërguara nga Televizioni Tema, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës ka thënë se mungesa e Sorafenib-it apo siç njihet ndryshe Nexavare, është për shkak se lënda për furnizimin me këtë medikament është duke u trajtuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit, andaj nuk dihet kur mund të ndodhë furnizimi.
“Lënda për furnizimin e Klinikes se Onkologjisë me Sorafemib është duke u trajtuar ne OSHP. Nuk kemi informacion se sa do të mund të zgjas ky proces. Ne jemi në pritje të kontraktimit të produktit nga zyra e prokurimit në mënyrë që furnizimi të vazhdojë në mënyrë të rregullt konform planifikimit të Klinikës së Onkologjisë”, deklaruan nga ShSKUK për TV TEMA.
Me gjithë këtë, nga ShSKUK nuk u përgjigjën në pyetjen sa kohë ka kaluar që pacientët me kancer kanë mbetur pa këtë medikament, sa pacientë me kancer kanë mbetur pa trajtim dhe çfarë zgjidhje u është ofruar këtyre pacientëve.
Derisa Klinika e Onkologjisë vazhdon të përballet me mungesë të këtij medikamenti , pacientët janë detyruar ta blejnë nga xhepi i tyre këtë medikament goxha të shtrenjtë.
Çmimi i Sorafenib-it/Nexavares në rajon sillet nga 650€ deri në 1800€.