Gjykata Speciale ka arrestuar ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Isni Kilaj, ish-shefin e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Bashkim Smakaj dhe ish-luftëtarin e UÇK-së, Fadil Fazliun, vëllain e heronjve Fahri dhe Bahri Fazliu.
Në njoftimin nga Zyra e Prokurorit të Specializuar bëhet ditur se operacionet e saj në një proces hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë janë autorizuar “nga ana gjyqësore prej Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe janë mbështetur nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX)”.
Ish kryetari i Malishevës, Isni Kilaj, ishte arrestuar edhe më parë, në nëntor të vitit të kaluar nën dyshimin për pengim të drejtësisë. Në maj, ai u lirua me kusht. Aktakuza e ndryshuar ndaj tij u ngrit më 28 qershor.
Bashkim Smakaj e kishte udhëhequr AKI-në nga viti 2009 deri në vitin 2015, kur kishte dhënë dorëheqje pak pasi ishte emëruar për mandatin e tij të dytë.
Vitin e kaluar, Zyra e Prokurorit të Specializuar pati bastisur shtëpinë e Bashkim Smakaj dhe atë të Fadil Fazliut.