Nga Jonathan Dienst, Ken Dilanian dhe Tom Winter(NBC)
SHBA-të planifikojnë që nga territori i vet të largojnë dy afganë të evakuuar së fundmi, për rishikim të mëtejshëm në Kosovë, shkaku i shqetësimeve të sigurisë të ngritura pasi ata mbërritën në një aeroport amerikan, shkruan rrjeti kombëtar televiziv NBC.
Sipas burimeve të këtij mediumi, thuhet se zyrtarët federalë amerikanë po veprojnë me shumë kujdes, dhe vetëm për shkak se një person është shënuar nuk do të thotë se ata janë terroristë ose përbëjnë një kërcënim. Diçka në profilin e tyre, qoftë emri, prejardhja ose një numër në celularin e tyre ka ngritur shqetësim të mjaftueshëm saqë nuk mund të lejoheshin të qëndronin në SHBA për të pritur shqyrtimin shtesë.
“Shumë njerëz u zhvendosën shumë shpejt dhe komuniteti i inteligjencës ka punuar shumë për të vlerësuar nëse ndonjë prej tyre paraqet kërcënim,” tha një zyrtar i lartë federal që punon në organet e sundimit të ligjit. “Disa verifikime bëhen gjersa të evakuuarit gjenden jashtë shtetit, e disa prej tyre ndodhin këtu … Ne nuk do të lejojmë që njerëzit të lirohen qëllimisht në komunitet nëse ekzistojnë informacione denigruese e të paverifikuara për ta.”
Çdo i evakuuar tjetër që shkakton shqetësime të ngjashme do të dërgohet për në Kosovë, u shprehën burimet e njejta.
Një zëdhënës i Departamentit për Sigurinë Kombëtare (DHS) kishte deklaruar: “Qeveria federale ka krijuar një proces të fuqishëm dhe të shtresuar të shqyrtimit e verifikimit, me qëllim që të mbrohen SHBA-të por edhe afganët e rrezikuar.”
Në pyetjen e gazetarëve, zëdhënësi i Departamentit të Drejtësisë së SHBA-ve nuk kishte pranuar të komentojë lidhur me këto raste.
(NBC)