Në seancën e sotme të Kuvendit Komunal të Ferizajt kërkesa e MAPL-së, drejtuar komunës së Ferizajt për anulimin e vendimit të saj Nr.35 të datës 25.03.2021, për dhënien në shfrytëzim të pronës së Komunës për shoqatën Hendifer, ngalli shumë reagime në mesin e kuvendarëve si të opozitës ashtu edhe të pozitës. MAPL-ja kërkesën e vet për anulim e kishte mbështet mbi arsyetimin se prona nuk është publikuar në listën e pronave komunale për dhënie në shfrytëzim.
Kuvendarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Hatixhe Bungu-Qerimi tregoi se Komuna e Ferizajt nuk po ia paguan qiranë kësaj shoqate.
“Shoqatat për personat me aftësi ndryshe janë pa objekt, duke u endur poshtë e lartë si qiragjinjë. Siç thotë edhe qiramarrësi që Komuna e cila është zotuar me pagu qiranë, nuk e bënë një gjë të tillë. Objekti i tyre është rrënuar që t’i lirohet hapësira “Bashkimit të Qytetit”, gjithashtu iu mor parcela afër Cosmos që të bëhet vendi për pensionerët. Gjatë vitit 2020, ekspertët kanë punuar për projektin e shoqatës Hendifer pasi që kanë takuar një donator për ndërtimin e ndërtesës së parë për personat me aftësi ndryshe. Parcela e dhënë me datë 25.03.2021 po del të jetë e kundërligjshme sepse u procedua në Kuvend pa u përfillë rregullat dhe ligjet në fuqi. Këtë e keni bërë nga mos dija apo ka qenë e qëllimshme? Javën e kaluar, donatori është konsultuar me anëtarë të shoqatës për arritjen e një memorandumi bashkëpunimi për zgjidhjen e problemit, donatori erdhi e qëndroi një javë por takimi nuk u realizua, donacioni u humb, puna shkoi huq, a duhet ditur përgjegjësi?”.
Hatixhe Bungu-Qerimi – Kuvendare e AAK-së
Përgjigje për pyetjet e saj, Bungu nuk mundi të marrë nga drejtori i drejtorisë së Pronës, Sabri Murseli sepse ai mungoi në seancë, megjithatë një përgjigje e mori nga kryesuesja, Kristina Gashi-Bytyçi.
“Komuna është e obliguar të bëjë zgjidhje, është prioritet, nëse jo tani pas kthimit të vendimit nga Ministria, mandatin tjetër do t’u bëhet zgjidhje”.
Kristina Gashi-Bytyçi – Kryesuese e Kuvendit
Zgjidhje rreth kësaj çështje ofruan kuvendari Amir Rexhepi dhe ai i PDK-së Arian Imeri.
“Unë propozoj që ngastra kadastrale 507-1, me sipërfaqe 471 metra katror dhe 569-1 me sipërfaqe 729 metra katrorë, të përfshihen tek pronat për dhënie në shfrytëzim që t’i jepet OJQ-ve për personat me aftësi të kufizuara”.
Arian Imeri – Kuvendar i PDK-së
“Është dashur që pasi që po anulohet ky vendim të keni një vend tjetër që t’i jepet kësaj kategorie, në mënyrë që të mos e gënjejmë këtë kategori”.
Amir Rexhepi – Kuvendar i AKR-së
E frustruar rreth kësaj teme u shfaq edhe kuvendarja e LDK-së, Bahrije Hyseni e cila pati akuza drejt ekzekutivit lokal.
“Tash do ta shfrytëzoni, ju partitë që ishit në pushtet, për fushatë se njerëzve me aftësi të kufizuara do ua bëni një objekt. Mos luani me njerëz të këtij qyteti që janë me aftësi të kufizuara”.
Bahrije Hyseni – Kuvendare e LDK-së
Në fund, me 27 vota për dhe një votë kundër u miratua propozimi për anulimin e këtij vendimi.
Është ndarë nga jeta mjekja e mirënjohur ferizajase Dr. Rushe Ramadani Rushiti.
Lajmi u bë i ditur nga familjarët dhe kolegët në rrjetin social Facebook.
Dr.Rrushja kreu studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës kurse specializimin për Obstetrikë-Gjinekologji e kreu në Tiranë.
Punën si mjeke e përgjithshme ajo e filloi në vitin 1984 në maternitetin e Shtëpisë së Shëndetit në Ferizaj kurse pas largimit nga puna nga organet e dhunshme serbe vazhdoi punën në maternitetin e improvizuar “Nëna Terezë” në Prishtinë.
Pas çlirimit, Dr.Rrushja vazhdoi punën në Spitalin e Ferizajt ku organizoi funksionalizimin e Repartit të Gjinekologjisë kurse vitet e fundit ishte angazhuar në poliklinën “Zeka” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për Dr. Rushe Ramadani Rushiti do të mbahet të shtunën (12 prill 2025), me fillim në ora 11:00 në Teatrin “Adriana” në Ferizaj.
Të shtunën (05.04.2025) disa fshatra të regjionit të Ferizajt do të përballen me ndërprerje të planifikuar të energjisë elektrike, si pjesë e punimeve për mirëmbajtjen e rrjetit.
Sipas njoftimit nga KEDS, ndërprerja do të zgjasë nga ora 09:30 deri në 14:30 dhe do të prekë fshatrat Greme, Gaçkë, Burrnik, Izhancë, Kashtanjevë, Bajincë, Semajë, Prushaj dhe Sllatinë si dhe disa biznese private në këto zona.
Ndërhyrja teknike përfshin ndërrimin e shtyllave dhe izolatorëve të dëmtuar, shtrëngimin e përçuesve dhe pastrimin e trasesë për të siguruar funksionimin e qëndrueshëm të rrjetit elektrik.
Policia ka arrestuar edhe dy persona të tjerë të moshës së mitur të cilët ishin në kërkim për vjedhje të kryer në fshatin Dremjak, komuna e Ferizajt. Kështu numri i të arrestuarve për këtë vjedhje arrin në 5, pasi më 31 mars ishin arrestuar në flagrancë 3 të dyshuar.
Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se më 1 prill, me urdhër të prokurorit të shtetit dhe me pëlqimin e familjarëve, njësia e hetimeve të stacionit policor në Ferizaj, ka kryer bastisje në fshatin Talinoc i Muhaxherëve.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar përkohësisht disa stoli ari, të cilat pritet të krahasohen me rastet e raportuara të vjedhjeve në Ferizaj.
Si rezultat i këtyre bastisjeve, janë arrestuar dy të dyshuarit e fundit: E.H., 16 vjeç dhe V.L., poashtu 16 vjeç derisa mԯ herët janë arrestuar edhe A.H., 24 vjeç, A.H., 20 vjeç dhe E.S., 16 vjeç.
Me vendim të prokurorit të shtetit për të mitur, të dyshuarit janë ndaluar për 24 orë, thuhet në njoftimin e policisë.