Sipas planit të Prokurimit te komunës së Ferizaj, parashikohej që në fund të muajit qershor, të fillonin procedurat për hapjen e tenderit për “transmetimin live të seancave të Kuvendit Komunal, publikimeve, njoftimeve, konkurseve si dhe të emisioneve të ndryshme informative në televizion për nevojat e komunës”.
Megjithatë kjo nuk ka ndodhur.
Kuvendari i pavarur i Kuvendit Komunal të Ferizajt, Nehat Mustafa këtë mosveprim të ekzekutivit lokal e sheh si presion ndaj mediave.
“Duke e pasë parasysh ndjeshmërinë e transmetimit të seancave të Kuvendit të Komunës dhe mos shpalljen e thirrjes për përzgjedhjen e operatorëve për transmetimin e saj, pa paragjykuar se kush mund të jetë, kjo mund të kuptohet edhe si një lloj presioni që mund t’u bëhet mediave që ne nuk e shpallim tenderin derisa ju nuk tregoni dëgjueshmëri ndaj pushtetit. Përderisa është dashur të shpallet në qershor, dikush duhet të mbajë përgjegjësinë për vonesën dy mujore. Praktika tregon se të gjitha pushtetet që kanë tentuar censurën kanë dështuar sepse sot nuk mund të bësh censurë. Nëse kjo qeverisje vërtetë ka punuar mirë siç po thonë, ata duhet të shfrytëzojnë seancat për proklamimin e punës së tyre e jo tu bëhet presion mediave. Por kemi parë që raporti i Auditorit nuk po flet më së miri për Komunën e Ferizajt e prandaj kjo mund të jetë një nga arsyet që është prolonguar shpalljen e këtij tenderi”
Nehat Mustafa – Kuvendar i pavarur
Shkëlzen Selmani i LDK-së, në anën tjetër konsideron se kështu po tentohet të censurohen të gjithë kuvendarët që kritikojnë.
“Është e padrejtë ndaj 41 asamblistëve, që të vetmin mjet për arsyetimin e votave, ka qenë transmetimi live i seancave të Kuvendit Komunal. Tash, asamblistët mundësi tjetër për të shpreh pakënaqësitë e qytetarëve përveç në seancë nuk kanë, si për të mirë si për gabime. Kjo me u ba në fund të mandatit, unë e shoh si një lloj censure ndaj të gjithë asamblistëve që kritikojnë e japin propozime tjera, por asamblistët janë shndërru vetëm në vegla për votim. Nuk e di cilat janë arsyet pse nuk është hapë tenderi, kur edhe me plan të prokurimit, është në kuadër të buxhetit që e kemi votu si asamble komunale edhe prej qershorit deri tash nuk është hapë”.
Shkelzen Selmani – Kuvendar i LDK-së
Teksa kthehet në retrospektivë, Dritëro Hyseni i LVV-së thotë se tendenca e pushtetit lokal gjithmonë ka qenë ngulfatja e fjalës së opozitës.
“Është e çuditshme se pse këta nuk e kanë hapur tenderin dhe është akoma më e çuditshme se si kjo qeverisje lokale ka tentuar që nga fillimi të ndrydhë fjalën e opozitës e cila të vetmen derë e ka transmetimin live të seancave. Edhe në vitin 2019 e kemi pasur si diskutim Rregulloren e Punës së Komunës së Ferizajt e edhe në atë kohë patën tentuar që transmetimin live të seancave të Kuvendit ta ndërpresin apo të mos hapin tenderë për mediat. Ne konsiderojmë që transmetimi live i seancave është mënyra e vetme që opozita të dëgjohet dhe të shkojë tek qytetari. Kjo është tendencë për të ndrydhur fjalën e lirë të opozitës e sidomos tash që jemi në prag të zgjedhjeve dhe në Kuvendin Komunal do të kemi disa tema shumë të rëndësishme si buxheti e shumë të tjera”.
Dritëro Hyseni – Kuvendar i LVV-së
Për të kuptuar arsyet se përse nuk po veprohet sipas Planit të Prokurimit rreth kësaj çështje nga Komuna e Ferizajt, TV Tema tentoi të marr në prononcim Kryetarin e Komunës, Zëdhënësin e Drejtoreshën e Administratës domen i së cilës është kjo çështje, por që të tre ishin në pushime.
Kurse personi përgjegjës në drejtorinë e Administratës së Përgjithshme u deklarua jo kompetent për të folur rreth kësaj çështjeje.
Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.
Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.
Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.
Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.
Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.
Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.
Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.