Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19, kishte rënduar edhe shërbimin shtëpiak, që vepron në kuadër të QKMF-së, në Ferizaj, për ta përcjellë gjendjen e çdo njërit pacient në vendbanimet e tyre. Andaj është bërë një riorganizim i këtij shërbimi duke hapur në QMF1 një dhomë të veçantë, për trajtimin e këtyre. Për mënyrën e trajtimit të pacientëve të prekur me koronavirus, në këtë hapësirë të vogël ku po bëhet punë e madhe, drejtoresha e QKMF-së, Nadire Ymeri, sqaroi.
“Për shkak të rritjes së numrit të rasteve pozitive dhe të atyre rasteve të cilët kanë nevojë për t’u trajtuar me infuzione dhe nga ana tjetër, me pamundësi për shkak të numrit të madh të rasteve të tilla për me i përfshi apo me i përfundu të gjitha nëpër shtëpia, për t’u trajtuar domethënë secili pacient i tillë, e kemi hapur një hapësirë, e cila është e veçantë tek Qendra e Mjekësisë Familjare numër 1, domethënë e ka hyrjen e veçantë dhe aty i kemi pesë shtretër dhe një dhomë të veçantë të mjekut i cili e monitoron gjendjen e pacientëve gjatë trajtimit të tyre me infuzione.”
Nadire Ymeri – Drejtoreshë e QKMF-së në Ferizaj
Po ashtu Ymeri na tregon se ky shërbim ka filluar, tek Qendra Familjare numër 1, para 3 jave në dobi të pacientëve pozitiv me Covid-19
“Domethënë kjo është java e tretë që është hapë dhe pacientët që kanë me u trajtu, ne i kemi të dhënat e tyre dhe me mëngjes infermierët i informojnë secilin pacientë, në mënyrë që me termin të vijnë t’i marrin infuzionet, kuptohet rastet që nuk mundem me ardh atëherë ekipi del në terren. Ekipi që punon tek dhoma e veçantë e infuzioneve, përbëhet nga dy infermiere dhe një mjek, ndërkaq ekipi i dytë gjithashtu i përbërë nga një mjek tjetër me dy infermiere del në terren për vizitat shtëpiake, kurse e kemi edhe ekipin e tretë të emergjencës në rast nevoje që del gjithashtu në terren, mjeku me një apo dy infermiere.”
Nadire Ymeri – Drejtoreshë e QKMF-së në Ferizaj
Në këtë mënyrë synohet që të infektuarve me Covid-19, Qendra Kryesore Familjare t’u ofroj zgjidhje sa më praktike, më të lehtë dhe më profesionale.
Instituti i Shëndetit Publik i Kosovës ka bërë të ditur se në periudhën nga 10 korrik deri më 23 korrik, në Kosovë janë regjistruar 19 raste pozitive me COVID-19, por nuk ka raportuar për ndonjë rast me fatalitet.
Në njoftim bëhet e ditur se rastet e reja me COVID-19 i takojnë grup-moshave deri 79 vjeç, nga të cilat 4 raste ishin të grup moshës prej 30-39 vjeç.
Autoritetet shëndetësore si masë kujdesi rekomandojnë aplikimin e masave parandaluese si mënyrën më të thjeshtë për të ulur rreziqet shëndetësore nga COVID-19, duke përfshirë infektimin, format e rënda të sëmundjes, shtrimin në spital apo edhe vdekjen.
Ministria e shëndetësisë njoftoi se në 24 orët e fundit kanë vdekur 2 persona dhe janë regjistruar 191 raste të reja të infektimeve me koronavirus të cilat rezultuan pas testimit të 926 mostrave.
Në këtë hark kohor nga sëmundja janë shëruar 255 pacientë ndërkaq në gjithë vendin janë 1 mijë e 325 raste aktive.
Deri tani, në Kosovë janë konfirmuar mbi 271 mijë raste të infektimit kurse 3 mijë e 196 qytetarë kanë humbur jetën.
Në 24 orët e fundit janë dhënë 30 doza të vaksinës anti-covid derisa nga fillimi i vaksinimit mbi 824 mijë persona janë vaksinuar me dy doza.