Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Kryetarja e Partisë Alternativa, Mimoza Kusari ngriti zërin kundër vrasjes së vajzës 18 vjeçare në Ferizaj.
Në postimin e saj në Facebook, Kusari shkruan:
“Shumë dhimbje e mllef ndjejë sot për jetën e këputur të 18 vjeçares nga Ferizaji nga dy burra keqtrajtues e dhunues, nga dy burra soji i të cilëve nuk i duhet shoqërisë tonë e asnjë shoqërie tjetër.
Dje, një vajze të re ëndërra e jetës iu ndërpre ende pa filluar mirë. Asaj iu ndërpre jeta në mënyrë brutale për motive të ulta të dy burrave, të cilët mund të quhen çdo gjë tjetër, por jo njerëz.
Në shoqërinë tonë, përveç përgjegjësve direkt për dhunën e ushtruar deri në vdekje ndaj vajzës së ndjerë, përgjegjësit e heshtur janë të gjithë ata që ushqejnë trajtimin e vajzave dhe grave si objekt, ata të cilët e kultivojnë dhe promovojnë pozitën nënshtruese të vajzave në familje e shoqëri.
Sot duhet të reflektojmë dhe shikojmë rreth vetes, kënd mund ta shpëtojmë të mos përfundojë e vrarë. Të shpëtojmë vajzat, jo vetëm jetën e tyre, por edhe shpresën se mund të jetojnë të lira e të barabarta dhe të bëhen kushdo që ëndrrojnë të jenë.
Një jetë e humbur dje nuk mund të kthehet. Sot mund të lutemi për shpirtin e saj dhe të ngushëllojmë familjen e saj. Por, neve tjerëve shumë punë na mbetet të bëjmë të mos përsëriten vrasjet e vajzave.
#NdalDhunënNdajVajzave”