Përpos dështimit në heqjen e rregullt të mbeturinave, Kompania “Pastërtia” po dështon edhe në parandalimin e deponive ilegale.
Së fundmi, në rrugën “Mic Sokoli” në Ferizaj është krijuar një deponi ilegale e mbeturinave ku krahas pamjeve të shëmtuara dominon edhe kundërmimi.
Në këtë hapësirë, përveç qeseve të plastikës, ka edhe mbetje të forta të ndërtimit, elemente të dëmtuara sanitare, orendi shtëpiake si dhe shishe të plastikës.
Nuk mungojnë as thasët e plastikës e madje edhe veshmbathje të hedhura e goma të vjetra të veturave.
Edhe tek kryqëzimi i rrugëve “Enver Hadri” dhe “7 shtatori” gjendja është e ngjashme.
Nga mos heqja e mbeturinave, kjo hapësirë ka dukjen e një deponie dhe banorët e kësaj lagjeje detyrohen të hedhin mbeturinat edhe anash vendit të duhur.
Tash e disa muaj, në disa lagje të Ferizajt vërehet shtim i konsiderueshëm i mbeturinave edhe përkundër vendosjes të kontejnerëve shtesë.
Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.
Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.
Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.
Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.
Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.
Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.
Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.