Politologu, gazetari e analisti politik Ramush Tahiri ndërroi jetë të premten në mbrëmje.
Për të nderuar veprimtarinë e tij, sot në qytetin e Ferizajt u mbajt mbledhje komemorative.
Kryetari i Komunës së Ferizajt, Agim Aliu në këtë mbledhje tha se Tahiri ishte intelektual i papërsëritshëm.
“Miku im Ramush, kjo sallë është e heshtur dhe e mbushur me pikëllim për ty, shpejtë na e dhe lamtumirën, të kisha mik e gjithmonë të çmova si më të shtrejtin ferizajas” deklaroi Aliu.
Gazetari Nehat Islami thotë se argumenti ishte mbështetja e tij kur fliste për proceset politike.
“Ramushi nuk shkoi për studime në Zagreb që të bëhej sekretar diku. Ai shkoi të shkollohej për të bërë ndryshimet ndaj sistemit Komunist”, thotë Islami.
E akademiku Ali Aliu thotë se vdiq një njeri i mirë e që vendin e la më të varfër pa një njeri të mirë.
“E lehtë i qoftë toka e Kosovës që e deshi shumë”, deklaroi Aliu për Tahirin.
Ish ambasadori Avni Spahiu për Ramush Tahirin tha se sot është ditë pikëllimi për tërë Kosovën.
“Ramushi ishte personalitet me kontribut të madh intelektual, i cili e vuri veten në shërbim të kauzës kombëtare. Ishteveprimtar dhe kontribus shumë dimensional dhe nga më të shquarit”, tha Spahiu.
I biri i Ramush Tahirit, Kreshniku thotë se po ndihet krenar e fatlum pavarësisht dhimbjes për humbjen e prindit.
“Një ndër vetitë e tij ishte që të mos e përziejë jetën personale dhe atë profesionale, duke mos sjellë problemet e punës në shtëpi. Për mua dhe Valdrinin ishte baba, hati afër perfeksionit, kemi mësuar shumë nga ai por kanë mbetur edhe shumë gjëra që duhet t’i mësojmë”, deklaroi ai.
Varrimi i Tahirit bëhet në orën 14:00 në fshatin Dremjak të Ferizajt.
Një bjeshkatar nga Bullgaria, humbi jetën në afërsi të “Majës së Jezercës” në Shqipëri.
Viktima u gjet pa shenja jete nga ekipi i kërkim-shpëtimit të policisë së Shqipërisë, një ditë pas raportimit se ai dhe një bashkëkombës i tij, kishin mbetur të bllokuar për shkak të terrenit të vështirë.
Dyshohet se gjatë ecjes bjeshkatare, 32 vjeçari kishte rrëshqitur nga një lartësi dhe si pasojë e ka humbur jetën.
“Nga ekipi i kërkim-shpëtimit është bërë e mundur nxjerrja e trupit të pajetë, i cili do të transportohet me helikopter, drejt morgut. Turisti tjetër është larguar drejt Malit të Zi, në gjendje të mirë shëndetësore”, thuhet në njoftimin e policisë së Shqipërisë.
Ky është rasti i dytë i vdekjes tragjike në këtë shteg brenda pak muajve, pasi më 30 mars, këtu humbi jetën edhe një bjeshkatare 43 vjeçare nga Kroacia.
Ndryshe, “Maja e Jezercës” është maja më e lartë e Bjeshkëve të Nemuna, e dyta më e larta në Shqipëri, me lartësi 2,694 metra mbi nivelin e detit. Nga bjeshkatarët alpinistë, shtegu drejt kësaj maje konsiderohet me rrezikshmëri të lartë, sidomos gjatë sezonit të dimrit.
Në zgjedhjet lokale që u mbajtën këtë të diele në Luginën e Preshevës, Ardita Sinani nga Partia për Veprim Demokratik, shpalli fitoren në Preshevë, ndërkaq Arbër Pajaziti nga Fronti për Ndryshim, ka shpallur fitoren në Bujanoc.
Në postimin e parë pas zgjedhjeve, Ardita Sinani shkroi se “Kjo fitore përpos që është rritje për subjektin tonë politik, krahasim me numrin në rënie të votuesve, për neve është shumëfish më e madh e ne kemi dominuar në të gjitha bastionet e jemi dominues në bastionet e APN-së”.
Edhe Arbër Pajaziti në një postim në facebook theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për qytetarët e Buajnocit.
“Bashkëkombës të dashur, me këtë fitore na obliguat që të krijojmë një shumicë të re qeverisëse në Bujanoc. Atë edhe do ta bëjmë. Shumë shpejt. S’kemi kohë për të humbur, sepse na presin shumë punë. Vota e juaj është një amanet për të bërë një Bujanoc ndryshe. Gjithmonë në shërbimin tuaj!”, ka shkruar Pajaziti.