Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), më 15 janar i ka shqiptuar gjoba tri subjekteve politike, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) për shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Kështu, LDK-ja u gjobit me 20 mijë euro, pasi kandidatja e saj për deputete, Xheneta Syka, e publikoi në llogarinë e vet në Facebook një video ku kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i LVV-së, krahasohej me Adolf Hitlerin.
PZAP-ja tha se me këtë, LDK-ja e ka shkelur nenin 34 të Ligjit për zgjedhjet, i cili ua ndalon partive politike, kandidatëve dhe mbështetësve të tyre përdorimin e gjuhës së urrejtjes , e cila mund ta nxisë apo provokojë një person tjetër të kryejë akte dhune kundër të tjerëve – si dhe përdorimin e fotografive, simboleve dhe materialeve të tjera që kanë ose mund të kenë ndikim të tillë.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës u gjobit me 12 mijë euro, pas një ankese të Lëvizjes Vetëvendosje se kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte bërë akuza të pabaza dhe të pavërtetuara kundrejt kryeministrit Kurti, ashtu si edhe Ardian Gjini, kandidat për deputet i AAK-së.
PZAP-ja tha se Haradinaj dhe Gjini kanë nxitur urrejtje ndaj Albin, duke thënë se “duhet ta heqim mashtruesin” dhe se “nuk duam më lojëra me sigurinë kombëtare pas shpinës së aleatëve tanë e në interes të Serbisë e Rusisë nga argati i tyre”.
Kurse Lëvizja Vetëvendosje u gjobit me 3 mijë euro, për shkelje të Ligjit për zgjedhjet, pas ankesës së LDK-së. Në njoftimin për media, PZAP-ja tha se e pranoi pjesërisht ankesën e LDK-së, duke konstatuar se Kurti ka përdorur gjuhë fyese dhe denigruese duke nxitur urrejtje ndaj kësaj partie kur gjatë tubimit në Pejë më 13 janar u shpreh: “Prandaj, kur na rastis të dëgjojmë ndonjë udhëheqës të LËDËKYHIT që thotë se po i pëlqen populli, populli ka simpati për ta, kjo mi përngjan asaj mizës që thoshte kudo që po shkoj, po më presin me duartrokitje (ironizon me gjestikulacion dhe shprehje të pakontrolluara të fytyrës)….”.
Partitë e gjobitura kanë të drejtë të ankohen në Gjykatën Supreme lidhur me vendimet e PZAP-së.