Connect with us

Ferizaj

Punëkryesit të “B. i Q.”- tender nën tavolinë

Published

on

Në kuadër të aktivitetit të monitorimit të prokurimit publik në Ferizaj, OJQ INPO e publikoi edhe kontratën e dytë që Komuna e Ferizajt sivjet e kishte nënshkruar me operatorë të ndryshëm, duke bërë shkelje të rëndë të ligjit.
Kontrata publike për “Rregullimin e kanalizimit në fshatin Kosinë” me vlerë prej afër çerek milioni euro u lidh me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, pa u siguruar aprovimi i domosdoshëm nga Komisioni Rregullativ për Prokurimin Publik, dhe në kundërshtim me rekomandimet e këtij organi shtetëror që e mbikqyrë prokurimin publik në Kosovë.
Qëndrim Arifi nga INPO shpjegon se kjo procedurë përdoret vetëm në raste ekstreme, të cilat assesi nuk kanë vlejtur me rastin e këtij prokurimi:

Qëdrim Arifi, INPO: “Rrethanat në Kosinë kanë qenë normale, dhe assesi ekstreme”

“E kemi parë që bëhet fjalë për një rrethanë krejt normale të kanalizimit të fshatit Kosinë dhe nuk mundesh në asnjë mënyrë të abstrahosh këtë situatë në një situatë urgjente dhe ta arsyetosh përdorimin e kësaj procedure dhe ta “mbysësh” tregun. Për këtë kontratë është ftuar vetëm një kompani, kurse në bazë të ligjit mund të ftohen deri në tri kompani që të negociosh me to, pra edhepse ligji e ka kufizu konkurrencën me këtë procedurë, megjithatë ka lënë hapësirë të ftohen tri kompani, por Komuna e Ferizajt nuk e ka parë të arsyeshme për shkak të “rrethanave ekstremisht ekstreme”, është deshtë shpejtë e shpejtë të vendoset me një kompani dhe cila kompani, ajo që së bashku me koncorsiumet e saj vetëm brenda vitit 2020 i ka fituar mbi 5 milionë euro nga Komuna”.

Se ka pasur shkelje ligjore gjatë udhëheqjes së kësaj procedure, këtë e pohon edhe Kenan Gashi nga rrjeti i OJQ-ve AVONET:

Kenan Gashi, AVONET: Do i drejtohemi Prokurorisë Speciale, sepse Prokuroria në Ferizaj nuk po e lufton krimin

“Është kontratë që është lidhë me negocim që tregon praktikë të keqe dhe shumë dyshuese karshi Komunës së Ferizajt që ka lidhë kontratë me Kompaninë që quhet “Linda”, ne konsiderojmë që është një prej proceseve të prokurimit të ndaluar, për shkak se dihet se cila mund të negociohet kur e dijmë që kjo nuk është çështje urgjente apo specifikë e veçantë… Është favorizu ky operator ekonomik kur e dijmë që ka edhe operatorë tjerë që e ushtrojnë këtë detyrë dhe janë më profesional”.

Drejtori i Infrastrukturës në Komunën e Ferizajt, Arbër Bytyqi thotë se u negociua vetëm me një operator sepse kompania në fjalë po implementonte projektin e kolektorit nga fshati Tërrn:


Arbër Bytyqi, drejtor i infrastrukturës në Ferizaj: Bllokimi i gypit ishte arsye e procedurës së negociuar

“Arsyeja pse ne e kemi bërë këtë zgjidhje ka qenë për shkak të natyrës emergjente të projektit, gjatë këtij viti në fshatin Kosinë ka filluar edhe bllokimi i kanalizmit dhe gypit që vjen nga fshati Slivovë dhe natyra për zgjidhjen e këtij problemi ka qenë shumë emergjente. Ne kemi qenë të detyruar që sa më parë të jetë e mundur tu bëjmë zgjidhje atyre banorëve… Jemi detyruar të shfrytëzojmë zgjidhjen e vetme të lejuar konform ligjeve në fuqi, kjo ka qenë procedura e negociuar që të shkurtojmë projekte tjera që të sigurojmë zotimin për këtë projekt që të fillojmë procedurat për zgjidhjen e problemit të atyre banorëve… Në bazë të konsultimeve me zyren e prokurimit, ata kanë bisedu me KRPP-në dhe kanë thënë që nuk është e domosdoshme të mirren oferta nga tre operatorë dhe mund të negociohet vetëm me një operator”.

Për procedurën e udhëhequr në këtë aktivitet të prokurimit, edhe Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP) kishte dhënë opinionin se nuk ishin plotësuar kushtet ligjore, prandaj i njejti kishte kërkuar rishqyrtimin e procedurës, duke mos e dhënë pëlqimin për kontraktim të negociuar. Arifi nga INPO thotë se KRPP është autoriteti i vetëm i cili interpreton rregullat ligjore në fushën e prokurimit publik:

“Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik interpreton normat juridike, interpreton situatat, mirëpo kjo për Komunën e Ferizajt nuk ka qenë e arsyeshme”.

Rrjeti AVONET paralajmëroi se për çështjen e kësaj kontrate do t’i drejtohet edhe Prokurorisë Speciale:

“Ne si organizatë kemi me ngritë këtë shqetësim deri në nivelin më të lartë, duke iu drejtuar edhe Prokurorisë Speciale, për arsyen se Prokuroria Themelore e Ferizajt nuk po tregon efikasitet dhe qasje të duhur karshi luftimit apo parandalimit të dukurive të tilla, për këtë arsye ne do i drejtohemi Prokurorisë Speciale për me i fillu hetimet për këtë aktivitet të prokurimit”


Kontrata publike për rregullimin e kanalizimit në fshatin Kosinë është lidhur më 28 maj të këtij viti, në vlerë prej 213,953.33 euro, ndërsa kontraktuesi ka nisur me punime para një jave.

Continue Reading
Click to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ferizaj

Arrestohet për vjedhje të rëndë ferizajasi 20 vjeç

Published

on

Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.

Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.

Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.

Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.

“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.

Continue Reading

Ferizaj

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas, Dr. Abaz Beqa

Published

on

Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.

Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.

Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.

Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.

Continue Reading

Ferizaj

Një muaj paraburgim të dyshuarit për therjen e 4 personave në Ferizaj

Published

on

Gjykata Themelore në Ferizaj i ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji F.I. që dyshohet se sulmoi dhe theri me thikë katër persona në Ferizaj.

I dyshuari ishte dorëzuar në polici të martën, duke e pranuar sulmin ku si pasojë në mesin e të plagosurve ishin edhe dy fëmijë të moshave 10 dhe 14-vjeçare .

Prokuroria ka thënë se i dyshuari i sulmoi viktimat shkaku i përkatësive etnike pasi që të katër të plagosurit janë të komunitetit RAE.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 Nëntor 2024, rreth orës 15:30 minuta, në rrugën “Rifat Berisha “ në Ferizaj, me dashje, për shkak përkatësisë etnike, i pandehuri F.I., ka tentuar t’i privojë nga jeta  dy të mitura, pjesëtarë të komunitetit RAE.

I poandehuri i sulmon ato nga mbrapa dhe i godet disa herë në pjesën e shpatullave me një thikë kuzhine me gjatësi 32 cm dhe gjatësi të tehut prej 19 cm, duke iu shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Më tej, Prokuroria thotë se i pandehuri F.I., me datë të njëjtë rreth orës 15:05 minuta në rrugën “Enver Topalli” në Ferizaj, me dashje për shkak përkatësisë etnike, ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin N.M., derisa ai ishte duke hyrë në një lokal.

I pandehuri e sulmon me të njëjtën thikë duke e goditur në pjesën e kokës, të fytit dhe në faqen e djathtë, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore. Më pas, rreth orës 15:53 minuta, në rrugën “Halim Spahiu” në Ferizaj, i pandehuri sulmon edhe të dëmtuarin E.A., duke tentuar të privoj nga jeta, duke e goditur me thikë nga mbrapa, në pjesën e shpatullave, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Me këto sulme dhe plagosje, i pandehuri dyshohet se ka kryer në vazhdimësi veprën penale “vrasje e rëndë në tentativë”.

Continue Reading

Trending