Në vend se ta shijojnë aromën e pranverës rrugës për në shkollë, këta nxënës duhet t’i mbajnë hundët e mbyllura nga kundërmimi i dembelisë së institucioneve komunale.
Rruga Ali Beqa që gjendet afër shkollës së mesme të Ekonomisë, shkollës fillore “Vezir Jashari”, Universitetit të Ferizajt dhe Qendrës së Kompetencës është shndërruar në një supermarket të mbeturinave.
Bile-bile, aty mund ta gjeni edhe departamentin e mbetjeve të sanitarisë.
Banorët e kësaj ane ankohen se janë në hall nga personat e papërgjegjshëm që po hedhin mbeturina në rrugën ku ata dhe fëmijët e tyre kalojnë për çdo ditë, gjersa institucionet heshtin.
“Valla me thanë vështirë, vështirë shumë. A po e sheh?, Fëmija të vogël, gratë vijnë me fëmijë, era po vjen, katastrofë… Në rrugë të Varoshit e kam shtëpinë, çdo sabah duhet me ardhë këtu, qe era e tanat.” – thotë Fadil Tasholli, banor i pjesës jugore të qytetit.
Mbeturinat, pos kundërmimimt dhe rrezikimit të shëndetit, janë edhe burim nga rreziqet e tjera:
“Na e kemi problem shumë sepse këtu edhe ka bërllok edhe ka erëra të këqia. Ka edhe qenë endacakë ku fëmijët kah shkojnë në shkollë, gjithmonë kanë pengesë. Bërlloku shumë keq, ka edhe erë të keqe për shkak të qenëve që i kanë gjujtë. Nxënësit dhe të gjithë banorët që janë kë këndej kalojnë. Ka shumë banorë kjo lagje, është rruga më e shkurtër dhe më e mirë” shprehet Imri Dullovi, një qytetar tjetër i Ferizajt
Ndërsa për Kastriot Rexhepin, qytetar nga Ferizaj, për deponi ilegale fajtorë janë qytetarët e papërgjegjshëm:
” Mbi të gjitha është shumë e vështirë për nxënësit sepse janë tri shkolla por edhe për neve normal. Po e shihni edhe vet që është katastrofë, ka shumë bërllok. Kemi bërë kërkesë në Komunë dy a tri herë, mirëpo nuk besoj që edhe Komuna e ka fajin sepse e kanë pastru një herë por këtu krejt është në pyetje kultura dhe qytetërimi i qytetarëve.
Edhe shkollat e kësaj ane kërkojnë që kjo deponi ilegale të largohet ani pse kërkesë zyrtare për largimin e saj nuk kanë bërë, thotë Idriz Ademi, drejtor i shkollës së mesme ekonomike:
“Afër shkollës është një deponi që e pengon shkollën pasi që është shumë afër. Ka edhe erë të padurueshme dhe si deponi jashtëzakonisht e shëmton shkollën… Ne gojarisht e kemi diskutu këtë çështje me strukturat komunale, mbetet që edhe përmes formës së shkruar tu drejtohemi organeve komunale dhe me gjetë një zgjidhje që së pari kjo deponi të largohet dhe pastaj që pengohet që të mos hudhen përsëri mbeturina afër shkollës”
Deponia ilegale është problem edhe për drejtoreshën e shkollës fillore “Vezir Jashari”
“Deponitë e mbeturinave, kudo janë problematike sepse ka probleme kur frynë erë e fortë, ato shpërndahen. Është problem që i shqetëson të gjithë, aq më tepër këtu që ka grumbullim të nxënësve duke e marrë parasysh që këtu është një kompleks shkollash”
Rreth kësaj deponie të mbeturinave Televizioni Tema tentoi të marrë prononcimin e zyrtarëve të Drejtorisë së Shërbimeve Publike në Komunën e Ferizajt dhe të Komapnisë “Pastërita” por që të dyja këto palë refuzuan të prononcohen për publikun lidhur me këtë problematikë.
Policia në Ferizaj ka arrestuar një 20-vjeçar të dyshuar për veprën penale vjedhje e rëndë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 dhjetor, rreth orës 01:45, në rrugën “Ilir Konushevci”, ku nga një veturë u vodh një pistoletë, 21 fishekë dhe disa gjësende tjera.
Pas hetimeve dhe analizimit të kamerave të sigurisë, mbrëmjen e 26 dhjetorit, rreth orës 19:00, policia arrestoi të dyshuarin me inicialet E.P. në banesën e tij.
Gjatë kontrollit u gjetën fishekët dhe disa sende që i përkisnin viktimës.
“I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Me vendim të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet mes tjerash në raportin e policisë.
Është ndarë nga jeta mjeku ferizajas Dr. Abaz Beqa.
Njoftimi u bë nga familjarët e të ndjerit.
Dr. Abaz Beqa përfundoi studimet për mjekësi në Universitetin e Prishtinës dhe specializoi në gastroenterologji dhe hepatologji në Kroaci. Si njëri nga specialistët e plejadës së parë të mjekëve ferizajas , që nga viti 1978, ai shërbeu me përkushtim në Shtëpinë e Shëndetit në Ferizaj.
Përveç angazhimit të tij profesional, Beqa ishte aktiv edhe në organizatën e mjekëve të pavarur dhe luajti një rol kyç në organizimin e spitalit për rastet emergjente. Ai gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në arsim, duke qenë mësimdhënës i hematologjisë për gjeneratën e parë të Shkollës së Mesme të Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.
Mbledhja komemorative për të ndjerin Dr. Abaz Beqa, do të mbahet të premten, më 6 dhjetor me fillim nga ora 10:30, në Teatrin “Adriana” në Ferizaj, kurse ceremonia e varrimit do të bëhet në ora 12:00, në varrezat e reja të qytetit.