Në vend të gjallërisë dhe shpresës, sot klasën e IV 5 të shkollës fillore “Emin Duraku” e mbushi heshtja, pikëllimi, ndërsa në vend të librave, mbi bankën e Yllit figuronin fotot e tij dhe ca lule të freskëta. Shokët dhe mësuesja e Yllit sot e ndalën mësimin, sepse sot po i thonë lamtumirën e fundit shokut dhe nxënësit që e deshtën shumë. Shtimja sot po mban zi, pas tragjedisë së djeshme të komunikacionit në Koshare, me ç’rast u shua familja e re Ramadani nga ky qytet. Xhaxhai i Naimit, prindit të Yllit i cili poashtu humbi jetën në këtë tragjedi, e kujton çunin e vogël me shumë emocion:
“Po fëmijë ka qenë, i mirë, i vogël. Pe shoh që po mërziten për te. Kem meshkuj boll por po mërziten, në fotografi kur po e shohin po qajnë krejt. Çka me ba, kjo ka ndodhë, tash s’kem çka bëjmë”.
Edhe për stafin e shkollës, dita e sotme e punës ishte shumë e rëndë, thotë drejtori Fidan Shaqiri:
“Ylli ka qenë nxënës i klasës së katërt dhe informacioni i tillë i cili vjen për fëmijët i shqetëson të gjithë, pa dallim… Në fakt sot për shkak të ndjeshmërisë edhe për shkak të dhimbjes së madhe që nxënësit të cilët janë në klasë me Yllin t’i dërgojmë në shtëpi për shkak dhimbjes së fëmijëve për shokun e tyre. Jemi detyruar ta thërrasim mësuesen e klasës, mësuesen Ibadete dhe ajo t’i njoftojë prindërit që të vijnë t’i marrin fëmijët e tyre në mënyrë që të mos shkaktohet më tepër dhimbje”
Për viktimat e këtij aksidenti, familjarët po presin ngushëllime në këtë vend. Familjari Sali Ramadani e përshkruan momentin kur dëgjuan për tragjedinë që kishte ndodhur në familjen e tyre
“Nëpërmjet telefonit i kemi pa, e kemi njoftë kerrin, kemi shku i kemi pa. Na thojshin që dy kanë vdekë në vend, djali edhe nusja, po ata po më duket që të katërt kishin vdekë aty, në vend kishin mbetë. Veç motra e tij është në Spital hala, ajo është në gjendje të rëndë se nuk e kemi pa… Nuk është lehtë katër anëtarë të familjes me i hjekë, me mbyllë derën”.
Pas tragjedisë së djeshme, kryetari i Shtimes Naim Ismajli bëri thirrje për kujdes të shtuar në komunikacion.
“Tash na presin pushimet e verës, ngarkesa e rrugëve do të jenë të mëdha nga bashkatëdhetarët tanë. Ta shtojmë kujdesin në komunikacion. Të kontribuojmë që të respektohen rregulalt maksimalisht. Ta ruajmë jetën e secilit qytetar, sepse është e rëndësishme”
Ceremonia e varrimit të familjes së Naim Ramadanit u mbajt në ora 17:00 në varrezat e Komunës së Shtimes.